Varret e ushtarëve grekë, pakti dorëzohet në Kuvend
BLEDAR HOTI
Në mbyllje të mandatit, Kuvendit i duhet të miratojë marrëveshjen për krijimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në tokën shqiptare. Dy ditë pas vizitës zyrtare të Kryeministrit grek Kostas Karamanlis në Tiranë, në Kuvend, në datën 29 prill është depozituar pakti mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, “Për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”. Ndërsa ka mbetur vetëm një seancë parlamentare, ajo e datës 11 maj, Kuvendi nuk e ka përfshirë në axhendën e vet të punimeve për shqyrtimin e këtij pakti, të nënshkruar për krijimin e varrezave greke. Pakti ndërmjet dy vendeve është firmosur më 3 shkurt në Tiranë, nga dy zëvendësministrat e Mbrojtjes, Zana Xhuka për palën shqiptare dhe Constantine Tassoulas për palën greke. Pakti për krijimin e dy varrezave në Lekli-Këlcyrë me një sipërfaqe 10 mijë metër katrorë dhe në hyrje të fshatit Bularat me një sipërfaqe prej 1.610 metër katrorë, është nënshkruar mbi bazën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Sigurisë dhe Marrëdhënieve të Fqinjësisë së Mirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke, nënshkruar në Tiranë, më 21 mars 1996. “Të gjithë eshtrat e personave të rënë në luftë, gjatë luftës Greko-Italiane të viteve 1940- 1941, që ekzistojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të vendosen në këto vendprehje. Kërkimi, zhvarrimi, identifikimi dhe varrimi i eshtrave do të bëhet nga një komitet i përbashkët me ekspertë shqiptarë dhe grekë. Në mbledhjen e tij të parë, ky Komitet do të hartojë rregullat procedurale të veprimtarisë së tij”, thuhet në pikën 4 dhe 5 të paktit. Ndërsa në pikën gjashtë theksohet se “kërkimi, zhvarrimi, identifikimi dhe varrimi do të bëhet mbi bazën e arkivave ekzistuese dhe dëshmive të asaj kohe, mbështetur mbi hartat e miratuara nga Komiteti i Përbashkët”. “Pala greke do të mbulojë shpenzimet për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin. Veç kësaj, pala greke do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike dhe infrastrukturën logjistike”, thuhet në këtë marrëveshje. Ndërsa në pikën 8 të nenit 1 të paktit, thuhet se “ceremonitë zyrtare të përkujtimit të personave të rënë në luftë do të organizohen nga përfaqësuesit e Republikës Greke dhe të Republikës së Shqipërisë, çdo vit, më 28 tetor. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të të afërmve dhe miqve të të rënëve”.
Pikat e marrëveshjes
n Vendprehjet e sipërpërmendura do të ndërtohen:
a) në një shesh, 4 km përpara qytetit të Këlcyrës, në rrugën kryesore Lekli- Këlcyrë që qeveria shqiptare do ta vërë në dispozicion për këtë qëllim (shih shtojcën me hartën dhe koordinatat e vendndodhjes),
b) në një shesh, në hyrje të fshatit Bularat (shih shtojcën me hartën dhe koordinatat e vendndodhjes).
n Të gjithë eshtrat e personave të rënë në luftë, gjatë luftës Greko-Italiane të viteve 1940- 1941, që ekzistojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të vendosen në këto vendprehje.
n Kërkimi, zhvarrimi, identifikimi dhe varrimi i eshtrave do të bëhet nga një komitet i përbashkët me ekspertë shqiptarë dhe grekë. Në mbledhjen e tij të parë, ky Komitet do të hartojë rregullat procedurale të veprimtarisë së tij.
n Kërkimi, zhvarrimi, identifikimi dhe varrimi do të bëhet mbi bazën e arkivave ekzistuese dhe dëshmive të asaj kohe, mbështetur mbi hartat e miratuara nga Komiteti i Përbashkët.
n Pala greke do të mbulojë shpenzimet për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin. Veç kësaj, pala greke do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike dhe infrastrukturën logjistike.