Prokuroria-Suedisë: Ekstradoni në Tiranë Shotën e Haklajve
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Suedisë ekstradimin e “Shotës” e Haklajve. Me anë të një kërkesë zyrtare, Prokuroria Shqiptare i ka bërë të ditur Suedisë se kërkon ekstradimin e Zylfie Haklajt, e arrestuar një muaj më parë në këtë shtet. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat deklaruan se kërkesa e ekstradimit për Zylfie Haklajn i është dërguar drejtësisësuedeze, me anën e së cilës shpresohet që ajo të përballet me drejtësinë shqiptare. “Shota” e Haklajve u arrestua rreth një muaj më parë në Goteborg të Suedisë. 45-vjeçarja është dënuar me 25 vite burgim nga Gjykata e Tiranës, e cila e ka shpallur fajtore për vrasjen e Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit dhe plagosjen e Izet Dushës e Hysen Biberajt, ngjarje e ndodhur më 2 prill të vitit 2002, në qendër të Bajram Currit.
Ekstradimi
Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar me shkresë zyrtare drejtësisë suedeze kërkesën për ekstradimin e Zylfie Haklaj, e cila deri rreth një muaj më parë figuronte në listën e personave të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare. E akuzuar për vrasje të dyfishtë, Zylfie Haklaj ishte shpallur në kërkim rreth gjashtë vite më parë, atëherë kur dhe u identifikua si autore e krimit të ndodhur në qendër të Bajram Currit. Motra e vëllezërve Haklaj të cilët janë vrarë dhe vetëm njëri prej tyre ka mbetur gjallë, pikërisht Hamdi Haklaj, kërkohet nga prokuroria të ekstradohet. Kjo e fundit aktualisht është në pritje të kthimit të përgjigjes nga organet kompetente të shtetit suedez për azilin politik. Megjithatë, pak kohë më parë u mësua se Zylfie Haklaj ashtu si i vëllai i saj, Hamdi Haklaj ka kërkuar azil politik në shtetin suedez. Hamdi Haklaj u arrestua nga policia e këtij shteti për llogari të drejtësisë shqiptare, por u lirua pas aprovimit të azilit. Të njëjtën procedurë po ndjek edhe motra e tij, Zylfie Haklaj, ndaj së cilës prokuroria kërkon ekstradim pavarësisht pretendimeve të saj.
Akuzat
E maskuar si burrë, Zylfie Haklaj kishte mundur të lëvizte lirshëm në shtetin suedez ku strehohej prej kohësh. Ajo përdorte edhe emra të ndryshëm për t’i shpëtuar arrestimit, gjë e cila u bë i mundur më 15 prill të këtij viti. Megjithë kamuflimet e motrës së vogël të Haklajve për t’i shpëtuar prangave, ajo ka përfunduar në policinë suedeze. Kjo e fundit, pas informacioneve që kishte siguruar për vendndodhjen e 45-vjeçares organizoi një operacion i cili përfundoi me kapjen e saj, gjë për të cilën njoftoi edhe homologët shqiptarë. Ngjarja për të cilën është shpallur fajtore Zylfie Haklaj ka ndodhur më 2 prill të vitit 2002, në një lokal në qendër të Bajram Currit. Haklaj e veshur me të zeza dhe me flokët e kapur i është afruar lokalit në ambientet e së cilit ndodhej “shënjestra” e saj. Sapo është afruar në lokal, 45-vjeçarja ka nxjerrë një armë zjarri automatik, të cilën e kishte fshehur mes rrobave që mbante veshur dhe ka qëlluar në drejtim të tavolinës ku qëndronin katër persona, dy prej të cilëve gjetën vdekjen. Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani gjetën vdekjen ndërsa u plagosën Izet Dusha e Hysen Biberajt. Pas krimit, policia mundi të identifikonte si autore kryesore Zylfie Haklaj, e cila u arrestua 6 vjet më vonë në Suedi.
DORËZIMI
Zylfie Haklaj kërkoi azil politik
TIRANË- Beteja ligjore për të ekstraduar në Shqipëri Zylfie Haklajn, nuk duket aq e lehtë për autoritetet tona të drejtësisë. E ashtuquajtura “Shota” e Haklajve ka marrë garanci nga suedezët për një shqyrtim të drejtë të kërkesës së saj për azil politik. Sikurse edhe i vëllai, Zylfia ka pretenduar se procesi gjyqësor në Shqipëri ka prapavijë politike si dhe është ankuar për paanshmërinë e seancave gjyqësore. Në një prononcim të paradokohshëm për "Shekullin", avokati i Haklajt, Hadëri, ka thënë se është në dijeni të procedurave që klientja e tij ka bërë për azil politik pranë autoriteteve të drejtësisë suedeze. "Ajo që unë di, është fakti që klientja ime po ndjek këto procedura. Më shumë sesa një arrestim, ai i dy ditëve më parë ka qenë një dorëzim për ndjekjen e procedurave të azil- kërkimit",- thotë Hadëri. Madje, duket se ky ka qenë dhe qëllimi i vajtjes në Suedi të Zylfie Haklajt, rreth dy muaj më pare, kohë që përkon me dhënien e azilit politik të vëllait të saj, Hamdi Haklajt, më 13 shkurt të këtij viti. Udhëtimi i saj drejt Suedisë me pasaportë jugosllave është bërë vetëm atëherë kur autoritetet suedeze kanë refuzuar kërkesën e shtetit shqiptar, për ekstradimin e vëllait të saj, Hamdi Haklajt.