E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haga shpall të pafajshëm Milutinoviç

Ish-Presidenti i Serbisë Milan Milutinovic është shpallur i pafajshëm për krimet e luftës në Kosovë gjatë vitit 1999, nga Gjykata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara në Hagë të Holandës. Milutinoviç akuzohej për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu edhe vrasjet e persekutimet politike, raciale dhe fetare. "Anëtarët e Gjykatës të shpallin të pafajshëm për pesë akuzat e ngritura ndaj jush", deklaroi gjykatësi Jain Bonomi. Ndërkohë pesë ish-zyrtarët e tjerë serbë, ish-nënkryetari i qeverisë jugosllave, Nikola Shainoviç, dhe gjeneralët Dragoljub Ojdaniç, Nebojsha Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç janë shpallur fajtorë për të njëjtat akuza. Krimet e tyre janë kryer gjatë fushatës ushtarake spastruese kundër shqiptarëve të Kosovës, gjashtë muajt e parë të vitit 1999. Fushata e bombardimeve ajrore e aleatëve të NATO-s detyroi tërheqjen e ushtrisë serbe. Rreth 16 mijë forca paqeruajtëse të aleancës veriatlantike mbetën në territorin kosovar edhe pas çlirimit. Nikola Shainoviç dhe Nebojsha Pavkoviç janë dënuar që të dy me nga 22 vite burg për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit. Ndërkohë, Vladimir Lazareviç e Dragoljub Ojdaniç u dënuan me nga 15 vite burg, me akuzat e deportimit me forcë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre. Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në Hagë është shprehur se ish-drejtuesit e forcave ushtarake të ish-Jugosllavisë kanë spastruar sistematikisht qytete dhe fshatra të tërë në Kosovë, kanë djegur shtëpi dhe ferma, kanë dëmtuar e shkatërruar kulturën e shqiptarëve dhe institucionet fetare. Ata kanë vrarë civilë shqiptarë, si dhe kanë përdhunuar gra e vajza. Gjyqi ndaj ish-zyrtarëve serbë filloi në Hagë të Holandës në gusht të vitit 2006. Milutinoviç ishte një nga katër liderët drejtues të ish-Jugosllavisë, që akuzohej bashkë me ish-Presidentin Sllobodan Millosheviç për krime në Kosovë. Millosheviç u arrestua në Serbi në vitin 2000, dhe u ekstradua në Hagë një vit më pas. Ai vdiq më 2006-ën, përpara se gjykata e Hagës të jepte vednimin për krimet e tij monstruoze. Milutinoviç arriti të shmangte hetimin deri në vitin 2002 kur mbaroi mandate i tij si President i Serbisë, pasi gëzonte imunitet. Ai ishte një pjesëtar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes së Jugosllavisë gjatë konfliktit të vitit 1999.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›