Hagë, Ambasadori shqiptar Barbullushi mbron pavarësinë e Kosovës
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë vazhdon seanca dëgjimore për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me paraqitjen e vendeve që kanë shfaqur interesim për rastin. Ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Gazmend Barbullushi, në paraqitjen e argumenteve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha se vendi i tij e cilëson shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ai tha se Shqipëria do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj të plotë për popullin e Kosovës në përpjekjet e tij për paqen dhe përparimin për të gjithë qytetarët e saj. Përfaqësuesi i Shqipërisë, në fjalën e tij, ka përmendur dhunën, sistematike siç e cilësoi ai, nga ana e Serbisë mbi popullin e Kosovës, që nga heqja me dhunë e autonomisë se Kosovës në vitin 1989. Ambasadori shqiptar tha se Kosova dhe populli i saj gjatë viteve të 90-të, e posaçërisht dhjetë vjet më parë, iu nënshtrua një spastrimi më të madh entik që pas Luftës së Dytë Botërore dhe vendi i tij, ka pranuar atëherë mbi 700 mijë qytetarë të Kosovës. Barbullushi, tha se Kosova sot është një shtet i pavarur dhe shumëkombësh i përcaktuar për demokracinë dhe rendin dhe ligjin, me mbrojtjen e plotë për të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj. Seancat dëgjimore për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë vazhduar me paraqitjen e argumenteve të vendeve që kanë shfaqur interesimin për rastin e Kosovës. Rreth 30 vende, sa kanë paraqitur interesim për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, do të kenë rastin që për dhjetë ditë në vijim të ofrojnë argumentat e tyre secila nga 45 minuta. Përfaqësuesit e Republikës së Gjermanisë thanë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ajo ka forcuar paqen dhe qëndrueshëmrinë në rajon. Këshilltarja ligjore e Ministrisë së jashtme gjermane, Sussane Wasum Rainer, tha se statusi i Kosovës është rrjedhojë e të drejtës së popullit të Kosovës në vetëvendosje dhe se "ata që punuan për shpalljen e pavarësisë dhe e nënshkruan atë, kanë punuar në emër të popullit të Kosovës dhe jo në emër të institucioneve që janë krijuar nga autoritetet ndërkombëtare".