E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë/ Dënohet për mospërfillje ndaj gjykatës një nacionalist serb

Nacionalisti serb Vojislav Seshejl, i akuzuar nga gjykata e Hagës për krime lufte, u dënua të premten me 15 muaj burg me akuzën për mospërfillje të gjykatës, pas zbulimit të identitetit të tre dëshmitarëve të mbrojtur. Seshejl, lideri i partisë ultranacionaliste Radikale të Serbisë, bëhet kështu i dyshuari i parë që akuzohet për mospërfillje ndaj gjykatës gjatë një procesi gjyqësor për krime lufte.
Ai u akuzua për publikimin me qëllim të identitetit të tre dëshmitarëve të mbrojtur në një libër që mban emrin e tij.
Për të mbrojtur veten, Seshejl paraqiti përpara gjykatës pesë artikuj gazetash, ku sipas tij ishin përmendur identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur përpara publikimit të librit të tij. Por gjykata i rrëzoi pretendimet e tij duke shpjeguar se ato artikuj nuk u referoheshin dëshmitarëve në fjalë dhe nuk përmbanin asnjë material ku përmendeshin pseudonimet e dëshmitarëve. Procesi gjyqësor për krime lufte ndaj Vojislav Seshejlit u ndërpre në shkurt të këtij viti, pasi prokurorët denoncuan dhunën që ushtrohej mbi dëshmitarët. Ndërkohë që ende nuk është vendosur se kur do të rinisë procesi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›