E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, Prokuroria: Karaxhic, komandant i spastrimit etnik

HAGE- Ka filluar në Gjykatën e Hagës dita e dytë e gjykimit ndaj Radovan Karaxhicit.
Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës deklaroi ditë më parë se nuk do të marrë pjesë në gjykim pasi nuk ka patur kohën e nevojshme për tu përgatitur për mbrojtjen.
Prokuroria e Gjykatës së Hagës ka nisur paraqitjen e rastit kundër Karaxhicit, i akuzuar për gjenocid gjatë luftës së viteve ’90-të në Bosnjë, duke pretenduar se ai ka qenë “komandanti suprem” i spastrimeve etnike gjatë luftës së viteve 1992-’95.

“Ky rast ka të bëjë me komandantin suprem, njeriu që ka nxitur forcat nacionaliste, urrejtjen dhe frikën për të zbatuar vizionin e tij të një Bosnje etnikisht të ndarë. Ky është Radovan Karaxhiq”, tha prokurori Alain Tieger.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari O-Gon Kuon, tha se Karaxhic ka zgjedhur të mos e ushtrojë të drejtën për të qenë i pranishëm në seancë dhe si rezultat “duhet t'i pranojë pasojat”, pasi seanca do të vazhdojë dhe në mungesë të të akuzuarit.

Karaxhiq përballet me 11 akuza kriminale për periudhën 1992-95 të luftës në Bosnjë, përfshirë dhe masakrën e 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat. Karaxhiç thotë se është i pafajshëm.
Karaxhiç ka zgjedhur të vetmbrohet dhe pretendon se ka rreth një milion faqe për të shqyrtuar.
(e.n/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›