Hagë, Radovan Karaxhiç, 11 akuza per krime lufte
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç u përball dje me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës ku janë gjykuar të gjithë të akuzuarit për krimet e luftës në ish-jugosllavi. Gjyqi ndaj tij nisi në orën 16.00 dhe në këtë seancë ai u njoh me akuzat më të rënda: genocid dhe krime lufte kundër njerëzimit. Ish-udhëheqësi famëkeq u ul në të njëjtën bankë ku u ul më herët frymëzuesi i tij, Sllobodan Milosheviç. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar Karaxhiç u vetëmbrojt në sallën e gjyqit ku u paraqit me pamjen e dikurshme, kur urdhëronte masakrat më të mëdha që ka njohur Ballkani në 100 vitet e fundit. Identiteti i rremë dhe mjekra pas së cilës u fsheh për një kohë të gjatë kur i fshihej autoriteve ndërkombëtare janë zhdukur nga fytyra e tij e vërtetë duke u përmballur me opinionin ndërkombëtar. Seanca e parë u transmetua live nga Haga. Në seancën e parë ndaj tij, i pandehuri i njoh me 11 akuza, prej të cilave ajo e genocidit dhe krime kundër njerzimit të cilat konsiderohen si më të rëndat. Sipas aktaakuzës, në vitin 95, Karaxhiç ishte i informuar që forcat e tij kryenin genocid dhe krime kundër civilëve, por ai nuk i ka ndaluar, përkundrazi i ka ndihmuar ata në kryerjen e këtyre krimeve për të cilat akuzohet. Pasi pohoi se do t’a bënte vetë mbrojtjen e tij në këtë proces, Karaxhiç pranoi para trupit gjykues se “ka jetuar me një identitet fals në Beograd”. Ai pohoi se jetonte në shtëpinë e bashkëshortes së tij, por nuk dha vendodhjen e kësaj banese. Karaxhic do të jetë në pritje të akuzave të reja që do të ngrihen ndaj tij në vazhdimësi. Për të gjitha akuzat që do të ngrihen brenda 30 ditëve ai ka të drejtë që të deklarohet i fajshëm apo i pafajshëm. Brenda 30 ditëve pritet të zhvillohet edhe një seancë e dytë. Procesi do të vazhdojë në seancën e radhës që është vendosur të mbahet më 29 gusht, në orën 14.00 ku Karaxhiç do të vetëdeklarohet nëse është i fajshëm apo jo. Gjatë kësaj periudhe ai do të qëndrojë në një nga qelitë e Hagës. Pas transferimit të Radovan Karaxhiçit në Gjykatën e Hagës, kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, Serzh Bramerc tha se ekipi i tij po shqyrton akuzën kundër Karaxhiçit dhe se sipas tij, procesi gjyqësor do të zhvillohet në mënyrë efikase dhe të përshpejtuar. Ai ka deklaruar se arrestimi i Karaxhiçit është një kthesë e re në bashkëpunimin midis Serbisë dhe Tribunalit të Hagës. “Unë i gëzohem vizitës time në Beograd si dhe bashkëpunimin e mëtejmë për arrestimin e Ratko Mlladiç”,- deklaroi Bramerc.
Maqedonia refuzon pasaportat e reja të Kosovës
Edhe pse paralajmëroi se do t’i njihte pasaportat e Kosovës, Maqedonia ka refuzuar t’i njohë ato duke ndaluar hyrjen e kosovarëve në territorin e saj vetëm dy ditë pas shpërndarjes. Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja kosovare “Zëri” e cila pohoi se pasaportat identifikuese të shtetit të ri kosovar janë ndaluar nga policia maqedonase duke penguar lëvizjen e qytetarëve kosovarë në territorin e Maqedonisë. Sipas gazetës, kjo ka ndodhur për faktin se Shkupi zyrtar akoma nuk i ka njohur pasaportat e reja në të cilët shkruan “Republika e Kosovës”. Ndërkohë një reagim i tillë i shërbimeve kufitare ka ngjallur polemika në Kosovë. Kjo pasi qeveria maqedonase më parë paralajmëroi se do t’i pranonte pasaportat e Kosovës, pavarësisht faktit se ende është nuk marrë vendim për njohjen e shtetit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka dorëzuar të mërkurën gjashtë pasaportat e para të Republikës së Kosovës në duart e qytetarëve.
Athina për çështjen e emrit: Shkupi me nacionalizëm të tepruar
Greqia u ka kërkuar ndihmë institucioneve ndërkombëtare për të ndërhyrë në konfliktin me Maqedoninë. Athina zyrtare akuzon Shkupin për mungesë serioziteti dhe nacionalizëm të tejkaluar, nisur nga letrat që kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski. Pas letrave që i dërgoi me radhë kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, presidentit të BE-së Barroso, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, kryeminitri maqedonas, Nikolla Gruevski, sipas medias greke, ka dërguar këto ditë letra edhe në adresë të NATO dhe OSBE-së, vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, të OKB-së, Këshillit të Europës, vendeve anëtare të G-8-s, etj. Në to kritikohet vendimi i Greqisë për të penguar këtë vend nga integrimi në NATO dhe BE, si dhe tërhiqet vëmendja për ekzistencën e minoritetit maqedonas në Greqi, gjë që Athina nuk e pranon. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Jorgos Kumucakos, i cilësoi veprimet e fundit të Shkupit zyrtar si “përpjekje për të devijuar nga objektivi i tyre kryesor negociatat dypalëshe që po zhvillohen nën përkujdesjen e OKB-së dhe që kanë për qëllim gjetjen e zgjidhjes në çështjen e emrit”.
Sipas Kumucakos, në letrën e fundit të Gruevskit drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun nuk ka asnjë referim në çështjen e emrit dhe sipas tij, kjo përbën ofendim ndaj vetë kreut të OKB-së si dhe ndaj të dërguarit të posaçëm Metju Numiç. “Është një tentativë që karakterizohet nga mungesa e seriozitetit dhe nga fryma e nacionalizmit të tejkaluar. Çështja, për palën greke është mbyllur me përgjigjen që kryeministri Karamanlis i dërgoi zotit Gruevski”, vuri në dukje zëdhënësi Kumucakos, duke përsëritur edhe një herë qëndrimin e njohur se “Greqia mbetet e përkushtuar me seriozitet në negociatat në kuadër të OKB-së, me tezën se moszgjidhja do të thotë jo ftesë në NATO dhe në BE”.
1 Gusht 2008