E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen 7 serbë që kaluan ilegalisht kufirin kosovar



Forcat policore të Kosovës kanë mundur gjatë ditës së djeshme të venë në pranga shtatë shtetas serbë të cilët kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin. Lajmi u bë i ditur nga burimet e policisë së Kosovës të cilët thanë se serbët u kapën në fshatrat kufitare të komunës së Kurshumlisë teksa kaluan në mënyrë ilegale kufirin kosovar. Zëdhënësi i policisë së Kosovës Veton Elshani, në lidhje me ngjarjen, bëri të ditur se dyshohet që shtatë shtetasit serbë të kenë kaluar kufirin kosovar për vjeljen e disa pemëve frutore. Grupi i serbëve të arrestuar janë dërguar në stacionin e policisë në Prishtinë.

EULEX-i në Kosovë, synimi drejtësia

Qëllimi kryesor i misionit EULEX do të jetë sistemi i drejtësisë dhe përforcimi i gjyqësisë së Kosovës për ta bërë atë plotësisht shumë-etnik, të paanshëm, pa ndërhyrje politike dhe sipas standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira europiane. Kështu shkruhet në faqen zyrëtare të Alberto Perduca shef i seksionit të Drejtësisë të EULEX-it. Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it ushtrojnë funksionet e tyre sipas kritereve objektive të vendosura me ligj. Ata punojnë ngushtë me homologët e tyre vendorë në marrëdhënie të besueshme reciproke. Po ashtu, gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it monitorojnë, udhëzojnë dhe këshillojnë kolegët e tyre, shton ai. Komponenti i drejtësisë përmban rreth 10 për qind të personelit të përgjithshëm të EULEX-it, apo 300 persona. Prej tyre, rreth 70 punojnë në sistemin e burgjeve dhe janë më shumë se 40 gjyqtarë dhe rreth 20 prokurorë.

Svoboda: “Kusht për BE-në, të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe emri”

Maqedonisë i duhet të realizojë të drejtat e shqiptarëve dhe të rregullojë çështjen e emrit përpara se të hyjë në Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë është shprehur europarlamentari Hanes Svoboda i cili i ka vlerësuar këto çështje si kushte për integrimin e Maqedonisë në BE. Në një analizë të shkruar për Institutin Ndërkombëtar “IFIMES”, Svoboda thekson se Qeverisë së Maqedonisë i ka munguar përgatitja për kompromis në fushën e brendshme me pjesët e bashkësisë shqiptare, si dhe në politikën e jashtme për çështjen e emrit me Greqinë i cili ka qenë edhe shkaku i mosfillimit të negociatave aderuese me BE-në.
“Nuk ka shenja pozitive se pas zgjedhjeve, partia fituese ka gjetur zgjidhjen për këto probleme. Maqedonia patjetër duhet në mënyrë të plotë të realizojë Marrëveshjen e Ohrit dhe të vendosë prioritete të qarta në strategjinë e ardhshme europiane”,- shprehet Svoboda.

Bakojanis përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese turke

Ministrja greke e Punëve të Jashtme, Dora Bakojanis përshëndeti dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese turke të kërkesës për nxjerrjen jashtë ligjit të partisë në pushtet, AKP e akuzuar për aktivitet antilaik. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese turke i dha fund pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë në jetën politike në Turqi”, shkruhet në komunkatën për shtyp të ministres së Jashtme greke. Bakojanis i bëri thirrje qeverisë së kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan për ndërmarrjen dhe zhvillimin e reformave të nevojshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të vendit të tij në BE. Nxjerrja jashtë ligjit e kësaj partie do të rrezikonte vazhdimin e negociatave për antarësimin e Turqisë në BE.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›