E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, konfimohet dënimi për ish oficerin Tarçullovski

HAGE- Gjykata e Hagës ka konfirmuar sot dënimin prej 12 vjet heqje lirie ndaj ish oficerit maqedonas Johan Tarçullovski dhe lirimin nga akuzat të ish Ministrit të Brendshëm të Maqedonisë, Lube Boshkovskit, lidhur me rastin Luboten, ku forcat e sigurisë maqedonase vranë 10 shqiptarë dhe keqtrajtuan 13 të tjerë në vitin 2001.
Zyrtarë në Shkup prisnin që Tarçullovski ashtu sikurse dhe Ministri i Brendshëm të lirohej nga akuzat, por gjykata vendosi sot që ai të vuajë dënimin e plotë duke hequr kohën e kaluar në burg përpara dhënies së vendimit. Për rrjedhojë, ish oficeri maqedonas do të vuajë edhe 7 vjet të tjera duke qenë se ndodhet në qendrat e paraburgimit në Hagë që nga marsi i vitit 2005.

Në 10 korrik të 2008-ës , gjykata e shpalli atë fajtor për planifikimin dhe dhënien urdhër për vrasjen e 10 shqiptarëve, shkatërrimin e 12 shtëpive dhe pronave të tjera si dhe trajtimin mizor të 13 shqiptarëve të tjerë ku që të gjitha përbëjnë shkelje të ligjeve të luftës duke e dënuar me 12 vjet heqje lirie.

Rasti Luboten është i vetmi i gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për konfliktin në Maqedoni. Ajo mori në shqyrtim edhe 4 raste të tjera në të cilat hetoheshin veprimet e ish UCK-së, por ato u rikthyen në Maqedoni për shkak të mungesës së fakteve.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›