Rikthim në kohë me filmat e Erebarës
Në 80-vjetorin e lindjes së regjisorit Gëzim Erebara, Arkivi i Filmit dhe MTKRS zhvilluan një aktivitet përkujtimor. Një album dhe një montazh filmik me krijimtarinë e artistit
Një botim modest dhe një montazh filmik në 80-vjetorin e lindjes së regjisorit Gëzim Erebara. Në sallën "Tefta Tashko" në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u zhvillua dje një aktivitet përkujtimor për artistin, që u nda nga jeta një vit më parë. Është një rast për të folur për atë që na dha dhe jo për humbjen. Albumi fotografik, një botim i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe montazhi me pjesë të shkëputura nga krijimtaria e Erebarës tregon se ka lënë shumë. Kolegë e miq, me kryet e zbardhur edhe ata tanimë ndoqën me nostalgji montazhin e shfaqur. Disa syresh patën mundësitë shihnin veten kur kanë qenë të rinj, madje edhe fëmijë. Veç aktorëve Marjeta Ljarja, Alfred Bualioti, Xhevdet Ferri e Shpresa Bërdëllima, fare të rinj aso kohe, kishin rast të shihnin veten adoleshentë edhe Artan Santo, tanimë drejtor banke, apo Suzana Turku, atëherë një vajzë e vogël me bishtaleca, të dy "aktorë" në filmin "Guximtarët". Të tjerë mes filmave shquan sheshxhirimet, kujtuan ekspeditat e punën e bërë. Megjithatë përkundër kësaj nostalgjie, ata ndodheshin aty për Gëzim Erebarën, realizuesin e disa filmave që kanë mbetur në fondin e artë të filmave shqiptarë si, "Vajzat me kordele të kuqe", apo "Pylli i lirisë".
Gëzim Erebara lindi në 19 maj të vitit 1929 në Dibër. Mbasi mbaron studimet e mesme, në vitin 1948 shkoi për studime në Çeki, ku nisi studimet për regjisurë në Akademinë FAMU në Pragë, pa arritur t'i përfundojë ato. U kthye në Shqipëri në vitin 1952 dhe për një periudhë të gjatë nuk pati mundësi të firmoste ndonjë film artistik. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Në vitin e fundit të studimeve, në një takim studentor pati deklaruar se "Enver Hoxha ka më pak kulturë se një qytetar i mesëm çek". Në vitin 1957 filloi punë pranë Kinostudios "Shqipëria e re" si regjisor e skenarist. Për rreth 30 vjet punoi në Kinostudio, duke realizuar disa filma artistikë dhe dokumentarë, madje në disa syresh është edhe skenarist njëkohësisht.
Pas një përvoje si asistent regjisor në filmat "Tana", "Furtuna" dhe "Debatik", realizon më në fund filmin e tij të parë në vitin 1967, "Ngadhnjim mbi vdekjen" së bashku me regjisorin Piro Milkani. Një film ky që nuk u prit mirë nga drejtuesit e lartë, gjë që çoi në ndalimin e tij. Më pas realizon edhe dhjetë filma të tjerë, ku filmi i tij i fundit i përket vitit 1986, "Një jetë më shumë". Ndër filmat e tij më të mirë numërohen "Në fillim të verës", fitues i disa çmimeve në Festivalin e Filmit, "Vajzat me kordele të kuqe", "Një natë pa dritë", "Pylli i lirisë", "Fushë e blertë-fushë e kuqe", etj., ku ka bashkëpunuar me aktorë të mëdhenj që nga Sandër Prosi, Drita Pelinku, Marjeta Ljarja, etj. Filmat e tij dallohen nga thjeshtësia e paraqitjës së subjektit, karakteri popullor, ku nuk mungojnë batutat, që janë ngulitur në mendjen e publikut.Kinoregjisori Gëzim Erebara është edhe autori i mjaft filmave dekumentarë. Ndër ta mund të përmendim "Migjeni" (1961),"Gjirokastra" (1962), "Vangjush Mio" (1965), "Ndre Mjeda" (1962), "Ata quheshin Arbër" (1973), etj. Emri i Gëzim Erebarës shfaqet edhe në fushën e publicistikës. Ka botuar me dhjetëra artikuj në organet e shtypit, ku ka dhënë mendimin e tij profesional, duke bërë kritikën dhe njëkohësisht analiza për vepra të veçanta. Aq i madh ishte numri i artikujve të shkruar saqë miqtë e tij tregojnë se e thërrisnin "magazinë pa inventar". Veç të tjerash ai do kujtohet edhe në fushën e përkthimit. Falë shqipërimit të tij nga çekishtja, lexuesi shqiptar ka në duar një nga kryeveprat e letërsisë botërore "Ushtari i mirë Shvejk" i autorit Jarosllav Hashek. "Shvejkun e kam përkthyer bashkë me mikun tim Tonin Bushati, që tashmë nuk jeton më. Nëna e Toninit ishte çeke dhe kjo na e bënte punën më të lehtë kur hasnim vështirësi në përkthim. Shvejku lindi në shqip nga pasioni për çekishten dhe nga dëshira për ta njohur këtë personazh edhe të tjerët",- tregonte dikur regjisori. Gëzim Erebara është vlerësuar me disa çmime, si dhe mban titullin "Artist i Merituar".
Alma Mile