E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Po tani, ku po "flenë dosjet" e korrupsionit, në Parlament?"

Nëse dikur një pjesë e mirë e politikës dhe bashkë me të edhe maxhoranca politike, kritizerët dhe nihilistët e sëmurë, inatçorët dhe revashistët ulërinin ngado e tërë mllef, mallkonin me gjithë forcën e shpirtit, tregonin me gisht, bënin fajtor dhe akuzonin në kor ish-Prokurorin e Përgjithshëm, z.Theodhori Sollaku, se për shkak të tij, dosjet po flinin në sirtarët e Prokurorisë, tani, çuditërisht, dhe si për ironi të asaj që u tha kaq zhurmshëm e bujshëm, dosjet madje me problematika tepër madhore po bëjnë gjumin letargjik në… sirtarët e Parlamentit.

Më konkretisht, fjala është për dosjet e deputetëve të Lulëzim Bashës dhe Fatmir Mediut, për t'u hequr atyre imunitetin. Por ndonëse prokuroria pothuajse e ka bërë punën e vet, duke i dërguar dosjet për heqje imuniteti në Parlament, fatkeqësisht, ato kanë muaj të tërë që flenë atje.

Dhe kjo, për arsyen e vetme, se pjesa dërrmuese e deputetëve të shumicës të dirigjuar djallëzisht nga Kryeparlamentarja dhe Kryeministri i vendit, bëjnë çdo gjë dhe gjithçka, nxjerrin pengesa pa fund, përdorin çdo justifikim, gjejnë dhe shtojnë barriera të kota burokratike që vështirësojnë artificialisht dhe pengojnë në mënyrë të qëllimshme heqjen e imunitetit të deputetëve në fjalë.

Ata rreshtohen kështu qartazi në krah të korrupsionit, të të korruptuarve dhe të shkelësve të ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›