Turizëm kulturor nëpër Shqipëri
Çdo ditë e më tepër të huajt po krijojnë besimin se Shqipëria nuk është vendi i kronikave të zeza, por një vend ku mund të kalosh disa ditë të këndshme, mes bukurisë së natyrës dhe trashëgimisë kulturore. Pasi kanë vizituar Shkodrën, Lezhën dhe Krujën, dje në Durrës kanë bërë paradë 17 makina rulotë turistike, të cilët janë nisur nga vendi fqinj për të përshkuar vende e vise të ndryshme në Evropë. Kampera kanë vizituar Durrësin në itinerarin e tyre që përfshin vizita në shumë qytete në jug e veri të vendit tonë, pikërisht në prag të nisjes së sezonin turistik në brigjet shqiptare. Çdo kamper ka nga një çift turistësh të cilët kanë nisur këtë udhëtim më 15 maj për ta përfunduar me 30 maj. Në mbërritjen e tyre në Durrës turistët me Campers janë pritur në një takim të veçantë nga kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ndërkohë që momenti i ardhjes së tyre përpara bashkisë është shoqëruar nga tingujt e bandës frymore. Turistët e Campers Club Italia janë nisur nga Italia dhe pasi kanë kaluar Kroacinë e Malin e Zi kanë hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Murriqanit. Ata kanë vizituar në fillim Shkodrën e më pas Lezhën, Krujën dhe tani Durrësin, kanë përcjellë mesazhin e sigurisë që ofron vendi ynë. Të gjithë turistët në udhëtimin e gjatë nëpër Shqipëëri kanë kaluar netët në natyrën e bukur shqiptare, duke i bërë me besimin e tyre, shërbimin më të mirë turizmit shqiptar.