E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, sot procesi kundër Mlladiçit

Ratko Mlladiç / Foto arkiv

Gjenerali serb i Bosnjës, Ratko Malldiç, sot do të paraqitet para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës për ish-Jugosllavinë në Hagë, i akuzuar për gjenocid dhe për udhëheqje në vrasjen e afro 8 mijë djemve dhe burrave myslimanë në Srebrenicë, më 1995, që është cilësuar si masakra më mizore në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Mlladiçi, tashmë në moshën 70-vjeçare, është pothuajse protagonisti i fundit më i rëndësishëm i luftërave ballkanike të viteve 90, që del para kësaj gjykate.

Ai është i akuzuar edhe për rrethimin 43 mujor të Sarajevës, ku u vranë mëse 10 mijë njerëz me snajperë, armë automatike dhe artileri të rëndë.

Lista e akuzave kundër tij, derisa ishte komandant ushtarak i serbëve në luftën në Bosnjë në vitet 1992-1995, fillon me gjenocid e me vrasje, e vazhdon me aktet e terrorit dhe krime të tjera kundër njerëzimit.

Por, Mlladiç, që është arrestuar në maj të vitit të kaluar, pasi 16 vjet ishte fshehur, i ka hedhur poshtë akuzat si monstruoze dhe thotë se është shumë i sëmurë për të qëndruar në gjykatë. / REL

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›