Haiti/ Trupat amerikane ulen në Pallatin Presidencial
Dhjetëra trupa amerikane kanë zbritur në pallatin presidencial të shkatërruar në kryeqytetin e Haitit, Port o Princ. Turma të mbijetuarish haitianë brohoritën, ndërsa rreth 20 helikopterë amerikanë sollën ushtarë në lëndinën e pallatit. Trupat kanë shkarkuar furnizime me ushqime, ujë dhe pajisje dhe korrespondentët thonë se ata duket se po ngrejnë një lloj baze. Mijëra trupa amerikane janë në Haiti tashmë duke u përpjekur të ruajnë rregullin dhe qetësinë. Ata po konsiderojnë edhe nëse të përdorin ndihma nga ajri në gjithë Haitin për të mbijetuarit, megjithë shqetësimet se kjo mund të shkaktojë trazira. Ngarkesa e parë me ndihma që erdhi në Haiti nga porti ka filluar të shkarkohet. Porti u dëmtua ndjeshëm nga tërmeti dhe anijet e mëdha e kanë patur të vështirë të ankorohen atje. Shpërndarja e ndihmave përmes rrugëve automobilistike është penguar nga shqetësimet për sigurinë e tyre. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar ndërkohë që të dërgojë 3500 trupa shtesë në Haiti për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe mbrojtjen e furnizimeve humanitare. Këto do t'i shtohen më shumë se nëntë mijë trupave të OKB-së që janë në Haiti. Ndërkaq, Presidenti francez, Nikolas Sarkozi ka ndërhyrë për të shpërndarë disa njoftime për ndarje që thuhet se ekzistojnë midis Parisit dhe Uashingtonit mbi ndihmën që po i dërgohet Haitit. Sarkozi doli me një deklaratë ku mirëpriste atë që ai e quajti mobilizim i jashtëzakonshëm i SHBA-së drejt Haitit dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm, që ata po luanin në terren. Të hënën, një ministër i qeverisë franceze, Alain Joyandet duket se inkurajoi njoftimet për një ndarje me Uashingtonin kur ai kërkoi sqarim për rolin e Amerikës. Ai tha se përpjekja për ndihmë duhet të jetë për të ndihmuar Haitin dhe jo për ta pushtuar atë. Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, që është i ngarkuari special i OKB-së për Haitin, thotë se bashkëpunimi mes amerikanëve dhe trupave të OKB-së është duke përmirësuar përpjekjet e ndihmës. Klinton tha se ushtria amerikane ka bërë një punë të mirë në organizimin e aeroportit të kryeqytetit. Ai tha se operacionet e ndihmës ishin bërë më të qeta.
Teksa kryeministri italian Silvio Berluskoni ka shpjeguar se situata është dramatike dhe ka vënë gishtin mbi organizimin e operacioneve të shpëtimit dhe ndihmës. "Duhet ngritur një autoritet që të koordinojë gjithçka, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur", tha Berluskoni. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë pritur qindra fëmijë jetimë, të cilët po vendosen përkohësisht në SHBA me qëllim që të marrin trajtimin e duhur mjekësor. Sekretarja për Sigurinë e Brendshme, Xhanet Napolitano tha se SHBA-ja ishte e angazhuar për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të ndihmuar në ribashkimin e familjeve. Deri më tani nuk është mësuar një shifër e saktë e viktimave të tërmetit 7 ballësh të shkallës Richter që goditi Haitin pasditen e 12 janarit. Numri i të vdekurve varion nga 100 deri në 150 mijë vetëm në Port-o-Princ. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se të paktën tre milionë persona kanë nevojë për ushqim, ujë, strehim dhe asistencë mjekësore. Megjithatë, kërkimet për të tjerë të mbijetuar vazhdjnë. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë më shumë se 75 persona nga gërmadhat, si dhe shumë të tjerë të mbijetuar po gjenden.