E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohet me burgim të përjetshëm planifikuesi i sulmeve në Kanada

Zakaria Amara, i konsideruar si kreu i grupit ekstremist islamik "Toronto 18" që planifikoi sulmet me bomba në Toronto në vitin 2006, është dënuar me burgim të përjetshëm. Ky është dënimi më i ashpër që është dhënë deri më tani nga ligjet anti-terroriste kanadeze. Vendimi, i dhënë nga gjykata e Torontos, është i katërti për këtë çështje që është zvarritur gjatë dhe vjen pas një dënimi tjetër prej 12 vitesh që iu dha më herët një personi që ka ndihmuar në këto sulme, Saad Gaja. Amara, 24 vjeç, u vetëshpall fajtor në tetor të vitit të kaluar për akuzat për planifikim shpërthimesh që shkaktuan vdekje njerëzish, por edhe për pjesëmarrje në aktivitete të grupeve terroriste. "Vendimi i gjykatës përfshin dënimin me burgim të përjetshëm për akuzën e parë, si dhe nëntë vjet për akuzën e dytë", tha prokurori federal i çështjes gjatë një deklarate për shtyp. Duke pasur parasysh kohën që Amara ka kaluar në paraburgim gjatë procesit gjyqësor, u vendos që dënimi i dytë të reduktohet nga nëntë në gjashtë vjet. Sipas prokurorëve, Amara ka qenë lideri i grupit që planifikoi shpërthimin e kamionëve-bomba në qendra të mbipopulluara, si bursa e Torontos, CN Toëer, baza ushtarake e Ontarios dhe zyrat e agjencisë kombëtare të spiunazhit në Toronto. Qëllimi i këtyre sulmeve terroriste ishte tërheqja e trupave kanadeze nga Afganistani. Duke lexuar vendimin, Kryetari i gjykatës së lartë të Ontarios Brus Durni tha se krimet e planifikuara nga Amara do të kishin qenë më të llahtarshmit në historinë e Kanadasë. Më herët se të jepej vendimi, vetë Amara kishte hequr dorë nga pikëpamjet e tij ekstremiste, duke thënë se interpretimi i tij i Islamit ishte naiv dhe mashtrim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›