Haiti, gjenden të gjallë dy persona, nuk dihet fati i 30 kosovarëve
Miliona njerëz në Haiti po përballen me mungesën e ujit të pijshëm, ushqimit dhe kushteve të vështira. Organizatat e ndryshme humanitare kanë bërë thirrje për ndihma të menjëhershme, pasi gjendja është e rëndë. Bashkimi Europian do t’i vijë në ndihmë këtij vendi me 337 milionë euro. Dy persona janë gjetur të gjallë nën rrënoja, ndërkohë që ende nuk jepet një numër i saktë i viktimave nga tërmeti, pasi shifrat ndryshojnë në çdo moment. Mediat kosovare bëjnë të ditur se rreth 40 kosovarë gjenden në Haiti për arsye pune. Gazeta “Express” e Kosovës nëpërmjet zyrtarëve të OKB-së ka mundur të sigurojë emrat e së paku 9 kosovarëve, disa prej të cilëve jetojnë atje me familjet e tyre.
Ata janë: Albiana Kadriu, Lindita Hoxha, Bekim Bojku, Besnik Demolli, Artan Rexhepi, Habib Hoxha, Bujar Aliçkaj, Gojart Galica dhe Shqipe Hebibi. Shumë prej tyre kanë përjetuar tërmetin e fuqishëm, i cili duket se ka shkatërruar gjysmën e vendit. Të gjithë këta kosovarë kanë qenë duke punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara për Stabilizim në Haiti, i njohur me shkurtesën “MINUSTAH”. Kontaktet me misionin e OKB-së në Haiti, janë të vështira, sepse aktualisht i tërë vendi ndodhet në kaos. Megjithatë, “Expressi” ka kontaktuar Aleksandra de La Falaise, e cila është një nga zyrtaret e misionit të OKB-së. Ajo konfirmon se ka parë me sytë e saj ose di me siguri se këta nëntë kosovarë janë mirë dhe kanë shpëtuar. Ende nuk dihet fati i personave të tjerë që ndodheshin në Haiti në momentin e rënies së tërmetit.
19 Janar 2010