Tarifat e reja për vizitat në Poliklinika dhe ambulanca
Laureta Rryçi
Ministri i Shëndetësisë ka firmosur një urdhër të posaçëm për tarifat që duhet të zbatojnë gjatë këtij viti të gjitha spitalet e vendit. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë urdhrin e plotë dhe po e boton atë në numrin e sotëm duke sjellë tarifat që do të rëndojnë xhepat e gjithë pacientëve që do të jenë të pasiguruar. Prej disa ditësh, spitalet kanë afishuar tarifat e reja, që pothuajse janë trefish më të larta se ato më parë. Tashmë një pacient që do të kryejë një vizitë të thjeshtë në poliklinikë nuk do të paguajë më 400 lekë, por do të paguajë 1000 lekë. Ndërsa një vizitë te specialisti, pacientit do t’i duhet të paguajë 1500 lekë nga 600 lekë që ka qenë më parë. Po kështu është vepruar me spitalet e nivelit terciar dhe me maternitetet, ku tarifat kanë arritur vlerat maksimale dhe janë bërë të papërballueshme për personat e pasiguruar. Numri i personave të pasiguruar në vend është tepër i lartë, prandaj dhe numri i pacientëve që do të kryejë vizitë me lekë në dorë është shumë i madh.
Vizitat te mjeku
Vendosja e tarifave të reja në çdo spital apo poliklinikë dhe veçanërisht ndryshimi i tyre, janë një detyrim që pacientët të sigurohen. Sigurimet shëndetësore do të mundësonin ecurinë e reformës që MSH-ja ka nisur në spitalet e vendit, ku do të rritej niveli i të ardhurave për spitalet dhe ulja e kostos së vizitave për pacientët. Po të shohësh tarifat e afishuara në spitalet, duket qartë se një pjesë e tyre kanë shënuar rritje, si dhe këmbëngulja e MSH-së për të zbatuar sistemin e referimit është një nxitje për sigurimin shëndetësore të pacientëve. Për një pjesë të qytetarëve që nuk janë të siguruar në punë ose nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune, problemi mbetet që ata duhet t’i paguajnë kontributet në mënyrë vullnetare. Kjo është një situatë që i step një kategori të caktuar qytetarësh për të mos kryer pagesën. Sipas tarifave të reja qytetarët që nuk janë të siguruar dhe nuk paraqesin librezën shëndetësore në spitalet, ku duan të vizitohen do të paguajnë koston reale të vizitave. Nëse ata do të jenë të siguruar tarifat për vizitë kryhen falas ose në disa raste të diagnozave të veçanta përgjysmohen. Prandaj MSH-ja këmbëngul për zbatimin e sistemit të referimit, që pacientët që nuk kanë rekomandimin e mjekut të lagjes nuk mund të vizitohen në spitale të nivelit terciar. Sipas informacioneve të marra nga QSUT-ja, Maternitetet dhe spitale të tjera qendrore, bëjnë të ditur se nuk pranojnë më vizita pa pasur rekomandimin e mjekut të lagjes, që e drejton pacientin të kryejë një vizitë në këtë spital. Sipas këtij rregulli, pacientët duhet të ndjekin sistemin e referimit, që do të thotë që çdo pacient duhet të kryejë një vizitë fillestare tek mjeku i lagjes, pastaj duhet të shkojë në poliklinikë dhe më pas me rekomandimin e mjekëve përkatës duhet të drejtohet në spitalet e mëdha.
Aplikimi
Aplikimi i sistemit të referimit dhe rritja e tarifave ka hasur në kundërshtimin e pacientëve. Ata ankohen se nuk kanë mundësi të përballojnë tarifat e reja për shkak të papunësisë dhe pamundësisë ekonomike që kanë në familjet e tyre. Njëkohësisht edhe vendosja e sistemit të referimit është një lloj pengese dhe tejzgjatje e procedurave, pasi edhe ata që janë të siguruar duhet të presin në radhë për të prerë një faturë për t’u vizituar tek specialisti. Njëkohësisht, kryerja e vizitës tek mjeku i familjes dhe rekomandimi te specialisti për qytetarët do të thotë një procedurë e gjatë dhe pagesë më të madhe për të pasiguruarit. Dalja Publike e Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, i hapi rrugë zbatimit të sistemit të referimit dhe tarifave të reja në spitale. Por, problemi qëndron më tepër tek të papunët dhe familjet me të ardhura të pakta që nuk kanë mundësi përballi të tarifave, si dhe nuk kanë mundësi të paguajnë sigurimet shëndetësore vullnetare. Specialistët e MSH-së, deklaruan se qytetarët duhet të drejtohen pranë organeve të pushtetit vendor nëse janë të varfër, të papunë apo i përkasin një tjetër kategorie në mënyrë që të pajisen me librezë shëndetësore për të marrë shërbimin mjekësor.
Kriteret për vlerësimin e mjekëve
Në kontratën spitalore të vitit 2010 për herë të parë do të futet cilësia e shërbimit ndaj pacientit dhe heqjen e pagesave informale janë dy vlerësuesit primarë për nivelin spitalor. ISKSH ka papërcaktuar që puna e mjekëve të vlerësohet tani e tutje duke u bazuar në matjen e një sërë indikatorësh të cilët janë përqindja e shfrytëzimit të shtratit. E thënë ndryshe, sa më pak vizita të bëjë i njëjti pacient do të thotë se aq më efikas është spitali. Kriter bazë është përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë. Sa më i ulët të jetë ky kriter, aq më efikas është shërbimi dhe njëkohësisht edhe performanca e mjekëve, do të jetë më e lartë. Specialistët kanë menduar që një ndër kriteret për të pasur shërbim më cilësor në spitale, të jetë përqindja e pacientëve të shëruar që kanë dalë nga spitali. Sa më e lartë të jetë kjo përqindje aq më efikas është shërbimi dhe njëkohësisht edhe përfitimi i mjekëve.
19 Janar 2010