Shkollat e mesme ekonomike, ndryshimet e reja që do të pësojë sistemi
Jonida Tashi
Sistemi i shkollave profesionale ekonomike do të përfshihet nga disa ndryshime të reja. Ministra e Arsimit ka firmosur dje, memorandumin për reformën ndaj shkollave të mesme ekonomike në Shqipëri. Bëhet fjalë për nisjen e projektit austriak “ALBIZ” (Albanian Business School), në kuadër të reformës së arsimit të mesëm ekonomik në Shqipëri 2009-2013. Ditën e djeshme, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ambasadori i Austrisë në Tiranë, Florian Raunig dhe përfaqësuesja e Kulturkontaktit Austria, Monika Mott nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për nisjen e projektit “ALBIZ”. Ky projekt ka një financim prej 800 mijë euro nga i cili do të përfitojnë 11 shkolla të mesme ekonomike dhe rreth 80 mësues të këtyre shkollave. Projekti do të reformojë kurrikulat dhe ç’ka është më e rëndësishme ai do të “prekë” edhe mësuesit. Por impakti i tij do të jetë i drejtpërdrejtë për së paku 4 mijë nxënës të shkollave të mesme ekonomike.
Reforma
Reforma në arsimin e mesëm profesional lidhet në radhë të parë me futjen e strukturës së re të arsimit profesional. Në përputhje me këtë strukturë të re duhen reformuar të gjitha kurrikulat, të cilat do të zbatohen nga viti shkollor 2009-2010 e në vazhdim. Kjo strukturë parashikon gjithashtu modele të ndryshme për degë të ndryshme të arsimit të mesëm profesional (2+1+1, 2+2 ose 4). Për shkollat ekonomike, respektivisht shkollat ekonomike profesionale me degë ekonomike aktuale pesëvjeçare, do të ketë një strukturë të re 2+2-vjeçare. Për të ditur se si duhet ndryshuar arsimi profesional në vend, për rrjedhojë edhe pikat ku duhet të ndërhyhet, ekspertët austriakë të projektit “ALBIZ” kanë evidentuar se strategjia shqiptare e arsimit profesional konstaton problemet e mëposhtme në sistemin arsimor shqiptar: orientim i pamjaftueshëm drejt tregut të punës i arsimit profesional, ose më saktë reagim i pamjaftueshëm ndaj prirjeve dhe sfidave aktuale të zhvillimit ekonomik dhe të tregut të punës, mungesa e infrastrukturës, financimi, personeli, planet e reja mësimore dhe metodat e drejtimit.
Projekti
Projekti i sapo nënshkruar nga Ministria e Arsimit, synon në mënyrë të drejtpërdrejtë rritjen e cilësisë dhe përafrimin me tregun e punës të të gjithë arsimit të mesëm ekonomik në Shqipëri. Ai gjithashtu kontribuon, në këtë mënyrë, në qëllimin kryesor “Kontribut në reformën e arsimit profesional, me qëllim krijimin e një arsimi profesional tërheqës dhe të orientuar drejt tregut të punës dhe përshtatjen e profileve arsimore me kërkesat e ekonomisë shqiptare“. Kohëzgjatja e projektit do të jetë katër vjeçare. Ndërsa buxheti i tij 828,565 euro të financuara nga Agjencia Austriake për Zhvillim, Kulturkontakt Austria, si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë. Grupet e synuara të projektit do të jenë: 11 shkolla të mesme ekonomike dhe tri shkolla të tjera me degë ekonomike të hapur rishtazi; ekipet drejtuese të 11 shkollave ekonomike; mësuesit specialistë të shkollave; përfaqësues të administratës arsimore; nxënësit e 11 shkollave ekonomike (rreth 4000 nxënës në katër vjet); mësuesit e rinj në shkollat ekonomike; multiplikatorët e kualifikuar në projekt; biznesmenë dhe administrata publike.
Grupet e synuara të projektit
11 shkolla të mesme ekonomike dhe tri shkolla të tjera me degë ekonomike të hapur rishtazi
Ekipet drejtuese të 11 shkollave ekonomike
Mësuesit specialistë të shkollave
Përfaqësues të administratës arsimore
Nxënësit e 11 shkollave ekonomike (rreth 4.000 nxënës në katër vjet)
Mësuesit e rinj shkollat ekonomike
Multiplikatorët e kualifikuar në projekt
Biznesmenë dhe administrata publike
Objektivat e projektit
Aktivitetet e këtij projekti do të synojnë arritjen e rezultateve të mëposhtme:
Krijimin e instrumenteve për zhvillimin dhe sigurimin e cilësisë në shkolla
Ndërgjegjësimin e nivelit drejtues të shkollave për kërkesat specifike në tregun lokal të punës dhe ndërmarrja e hapave për përmirësimin e cilësisë
Përshtatjen e planeve mësimore me kërkesat e tregut të punës dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies
Njohjen e mësuesve me metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe zbatimin e tyre në procesion mësimor
Krijimin e një rrjeti të shkollave ekonomike dhe rritjen e bashkëpunimit të këtyre shkollave me biznesin
Ndërgjegjësimin e grupeve të interesit në arsimin e mesëm ekonomik për rëndësinë e integrimit gjinor.
Aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të zbatimit të projektit
Aktivitet që do të zhvillohen në kuadër të zbatimit të projektit do të jenë si më poshtë:
Trajnim të mësuesve dhe formimin e multiplikatorëve
Pajisje moderne kompjuterike dhe për firmat ushtrimore për 11 shkollat e mesme ekonomike
Menaxhim dhe garantim të cilësisë në të gjitha 11 shkollat e mesme ekonomike
Ngritjen e rrjetit të komunikimit mes shkollave të mesme ekonomike me biznesin dhe përmirësimi i ndërmjetësimit të praktikave profesionale
Ripunimin e programeve analitike shkollore bazuar në skelet-kurrikulën e re
Zhvillimin dhe menaxhimin e shkollës
Hartimin e materialeve mësimore
Integrimin gjinor në procesin mësimor të arsimit të mesëm ekonomik
Përmbytjet në Shkodër
Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës ngre grup pune
Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në mbledhjen e tij të datës 13.01.2010, në shenjë solidarizimi për pasojat e përmbytjes në veri të vendit shqyrtoi mundësinë dhe ngriti një grup ekspertësh të stafit akademik nga Departamenti i Kimisë, Kimisë Industriale, Fizikës, Biologjisë për ndërmarrjen e studimeve të impaktit të përmbytjes, të vlerësimit të gjendjes dhe shpreh gatishmërinë e bashkëpunimit me çdo institucion shtetëror për inspektim, ekspertizë apo studim në fushat e specialiteteve për rehabilitimin e gjendjes nga përmbytja.
Dekanati i Infermierisë, gatishmëri për situatën në veri
Në analizë të situatës së krijuar para pak ditësh në veri të vendit, Fakulteti i Infermierisë në Tiranë, ka shprehur solidarizimin për të qenë pjesë e përballimit së bashku me banorët e zonës, të kësaj fatkeqësie natyrore. Për këtë Fakulteti bënë të ditur se shpreh gatishmërinë e stafit të tij për të ndihmuar me personel mjekësor apo infermierë, në zonat e emergjencës shëndetësore. Po ashtu, Fakulteti i Infermierisë në Tiranë deklaron se është i gatshëm të vërë në dispozicion ambientet e fakultetit të tij dhe stafin akademik për të zhvilluar mësim për studentët e degës Infermieri Shkodër, deri në normalizimin e situatës në fakultetin e tyre. Ndërsa qeveria studentore e Infermierisë ka vendosur pranë fakultetit kutinë e ndihmës ekonomike si shprehje e solidaritetit me njerëzit në nevojë.
19 Janar 2010