Çmimi i ri i energjisë, 82 mijë pensionistë presin kompensimin
Jonida Tashi
Rreth 82 mijë pensionistë në vend presin të marrin masën e kompensimit për çmimin e ri të energjisë elektrike, që hyri në fuqi në 1 janar të këtij viti. Ndonëse Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore ka dërguar në Ministrinë e Financave numrin e pensionistëve që do të përfitojnë aktualisht kompensim për energjinë elektrike sipas vendimit të qeverisë në vitin 2006, deri tani asnjë prej pensionistëve nuk e ka marrë masën e kompensimit. Madje jo vetëm kaq, por ende nuk dihet nëse numri i pensionistëve që do të kompensohen për rritjen e çmimit të energjisë do të rritet apo do të pakësohet.
Fondi
Burime zyrtare nga Drejtoria e Financës në Institutin e Sigurimeve Shoqërore bëjnë të ditur se 450 milionë lekë është fondi që shpenzohet çdo vit për kompensimin e 82 mijë pensionistëve, që përfitojnë subvencionim për energjinë në masën 500 lekë çdo muaj. Lidhur me këtë masë kompensimi, pensionistët shprehen se është shumë e vogël krahasuar me faturën e lartë të energjisë elektrike, që u duhet të paguajnë çdo muaj, pa llogaritur nevojat jetike që vijnë në rritje. “Mua më erdhi për muajin dhjetor fatura afrofe 54 mijë lekë kur në fakt unë paguaj vetëm 35 mijë lekë. Ky kompensim që marrim vlen vetëm për ta shtyrë”,- pohon një e moshuar. Por ka dhe nga ata pensionistë që mezi presin të marrin kompensimin e energjisë elektrike. “Nëse zbatohet vendimi për kompensimin, sepse ai akoma s’ka hyrë në fuqi, them se do na mjaftonte për atë rritje që ka hyrë në zbatim këtë muaj”,- thotë një tjetër i moshuar.
Energjia
Në muajin e fundit të vitit 2009, Enti Rregullator vendosi që çmimi i energjisë elektrike të rritej me 13 për qind. Pas miratimit të këtij vendimi, Ministria e Punës në bashkëpunim me Ministrinë Energjetike deklaruan se kanë përcaktuar kategoritë që do të përfitojnë kompensimin. Sipas tyre, përfituesit janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, ata që kanë persona që përfitojnë pagesë paaftësie, të papunët, buxhetorët me pagë mujore nën 35 000 lekë, pensionistët, etj. Sipas dy ministrave të dikastereve të mësipërme, qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliard lekë për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike, duke garantuar në këtë mënyrë kompensim 100% të vlerës së rritur të energjisë për kategoritë në nevojë.
Kategoritë që do të përfitojnë kompensimin për energjinë
Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike
Familjet që kanë persona që përfitojnë pagesë paaftësie
Të papunët
Buxhetorët me pagë mujore nën 35 000 lekë
Pensionistët
Kategoritë e reja që do të trajtohen me ndihmë ekonomike për herë të parë
Si do të bëhet kompensimi i energjisë elektrike për çdo kategori
Kushtëzimi i shpërndarjes së ndihmës ekonomike me pagesën e konsumit të energjisë elektrike është një nga format që parashikohet në projektligjin e ri të Ministrisë së Punës “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Sipas përcaktimeve të bëra nga dikasteri i Punës, kompensimi i ndihmës ekonomike do të kushtëzohet me pagesën e faturës së energjisë elektrike nga familjet dhe grupet përfituese. Përfitimi i ndihmës ekonomike dhe kompensimi i energjisë nuk mund të realizohet pa paraqitur pagesën e faturës së energjisë në zyrën e financës së bashkisë/komunës. Në të kundërt, familjet e humbasin të drejtën e përfitimit të kompensimit të energjisë dhe ndihmën sociale. Po ashtu edhe për personat me aftësi të kufizuara, përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar dhe kompensimi i energjisë nuk mund të realizohet pa paraqitur pagesën e faturës së energjisë tek zyra e financës. Në të kundërt, personat me aftësi të kufizuar e humbasin të drejtën e përfitimit të subvencionit dhe të pagesës së tyre. Të njëjtin rregull për të përfituar nga kompensimi i energjisë elektrike duhet të ndjekin dhe punonjësit buxhetor me pagë bruto nën 35 mijë lekë në muaj, të cilët, duhet të paraqesin pagesën e faturës së energjisë në zyrën e financës të institucionit. Në të kundërt, edhe kjo kategori humbet të drejtën e përfitimit të kompensimit të energjisë. Kurse pensionistët e vetmuar dhe invalidët e punës, duhet të paraqesin pagesën e faturës së energjisë në institucionin që tërheqin pensionin për të përfituar subvencionin e energjisë. Në të kundërt, humbasin të drejtën e përfitimit të kompensimit dhe të pensionit.
Ku do të tërhiqet subvencioni i energjisë
Subvencioni mbulon disa grupe përfituesish si: Familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it: subvencioni është bërë pjesë e listës së pagesës së ndihmës ekonomike që merret në njësinë vendore; Kryefamiljarë që përfitojnë pension invaliditeti, shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat: subvencioni pasqyrohet në një kolonë të veçantë në listë-pagesën e aftësisë së kufizuar për këtë kategori pranë njësisë vendore; Kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët nuk kanë të ardhura: subvencioni është bërë pjesë në listë-pagesën e marrjes së pensionit në një kolonë të veçantë; Familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj: subvencioni është përfshirë si zë i veçantë në listë-pagesën e institucionit përkatës.
Dokumentacioni për identifikimin e përfituesve të subvencionit të energjisë elektrike:
Përfituesit do të përcaktohen nga institucionet ku ata marrin pagën, pensionin apo pagesat nga programet e ndryshme sociale;
Konsumi i energjisë elektrike faturohet nga KESH-i, për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar nga familjet përfituese;
Klientët, familjet përfituese të subvencionit e paguajnë të gjithë detyrimin sipas faturës dhe mbas këtij momenti paraqiten për të tërhequr subvencionin;
Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike apo me pagesë për aftësinë e kufizuar deklarojnë detyrimet e prapambetura për energjinë;
Personat me aftësi të kufizuar deklarojnë se në familjen e tyre nuk kanë punonjës buxhetorë apo nuk marrin ndihmë ekonomike etj.
19 Janar 2010