Strategjia për Veriun e Kosovës, i paqartë vendimi për Mitrovicën
Blerina Olldashi
Vetëm disa ditë pas lajmit të qeverisë kosovare për një strategji e cila synon vënien e kontrollit në Veri, mbetet ende i paqartë zhvillimi i zgjedhjeve për Mitrovicën, që ishte parashikuar të mbaheshin më 16 janar. Një nga hapat që parasheh strategjia për veriun, e hartuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, është themelimi i komunës së Mitrovicës Veriore dhe mbajtja e zgjedhjeve atje. Afati i shpalljes së zgjedhjeve nga ana e presidentit, që përcaktohet në këtë strategji, ka kaluar të shtunën, më 16 janar. Sidoqoftë, zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, tha se shpallja e zgjedhjeve do të bëhet brenda afateve ligjore. “Presidenti, në koordinim me institucionet e tjera të Kosovës, me Qeverinë dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal, do t’i shpallë zgjedhjet, gjithmonë duke pasur parasysh dhe duke u mbështetur në afatet ligjore. Gjithsesi do të respektohen ligjet në fuqi dhe afatet”, tha Beqiri, pa saktësuar datën se kur do të shpallen ato. Politikanët serbë të veriut kanë paralajmëruar se do të përdorin, të gjitha mjetet demokratike për të penguar zbatimin e strategjisë, që qëllim ka shuarjen e strukturave paralele serbe dhe kthimin e autoritetit të Prishtinës. Kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun, Millan Ivanoviç, në një konferencë për gazetarë, i bëri të ditura metodat që do t’i përdorin për t’iu kundërvënë strategjisë së re. “Me të gjitha mjetet legale do t’i kundërvihemi, me të gjitha metodat demokratike, me të gjitha metodat e rezistencës qytetare dhe dëgjueshmërisë qytetare. Do t’i bëjmë thirrje popullit tonë që të mos marrë pjesë në këto zgjedhje të shqiptarëve. Fakt është se në zgjedhjet e kaluara shqiptare, këtu në veri asnjë serb nuk ka marrë pjesë”, tha Ivanoviç. Në anën tjetër, në Ministrinë e Pushtetit Lokal nuk parapëlqejnë të japin datën për zgjedhjet për komunën e re të Mitrovicës veriore, themelimi i së cilës parashihet edhe me Pakon e Ahtisarit. Zyra Civile Ndërkombëtare pati thënë, kohë më parë, se zgjedhjet për Mitrovicën veriore dhe vendbanimin tjetër me shumicë serbe, Parteshin, do të mbahen 6 muaj pas atyre të 15 nëntorit, pra më 16 maj. Strategjia për veriun, për të cilën kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se është në fazën finale, parasheh mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në tri komunat veriore, në të cilat zgjedhjet u bojkotuan nga shumica serbe.
Ukraina përballë balotazhit, raundi i dytë i zgjedhjeve në shkurt
Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë do të zhvillohet në fillim të muajit të ardhshëm. Pas numërimit të 70 për qind të votave, ish-kryeministri pro-rus Viktor Janukoviç kryeson qartë me 36,2 për qind. Pas këtij rezultati Janukoviç u shpreh se vendi ishte pro ndryshimit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës. Megjithatë përballë një rivaleje si Julia Timoshenko, Janukoviç e di që fitorja nuk është ende e sigurt. Pas numërimit të protokolleve të rreth 40 për qind të vendvotimeve Janukoviç ka marrë afërsisht 37 për qind të votave dhe kryeson me më shumë se dhjetë për qind ndaj Timoshenkos. Megjithatë, në raundin e dytë shifrat mund të jenë krejt të tjera. Vendimtare është se sa zgjedhës, që mbështetën kandidatë të tjerë do të votojnë për Timoshenkon. Julia Timoshenko shpreson në një aleancë të gjerë pro-perëndimore. Ajo i ofroi negociata kandidatëve të renditur pas saj, ish-shefit të bankës kombëtare Tigipko, ish-kryetarit të parlamentit Jazenjuk dhe kampit të presidentit aktual Jushçenko.
Gjermania, një ndër eksportueset më të mëdha të armëve
Gjermania është një nga eksportueset më të mëdha të armatimeve, por njëkohësisht ajo mburret, se është e rigoroze në dhënien e licencave. Në pesë vitet e fundit vlera e eksporteve gjermane të armatimeve thuajse është dyfishuar, sipas përllogaritjeve të bëra vitin e kaluar nga Instituti i Stokholmit për Paqen, SIPRI. Por kjo shifër nuk mund të llogaritet saktësisht, thotë Otfried Nassauer nga Qendra e Informacionit për Sigurinë Transatlantike në Berlin. Në listën e vendeve importuese të armëve bëjnë pjesë edhe vende të implikuara në konflikte si për shembull Pakistani, apo Izraeli, vende që vitet e kaluara i kanë dhënë porosi voluminoze industrisë gjermane të prodhimit të nëndetëseve.
Armë lufte, si tanke dhe pushkë, duhet të eksportohen, vetëm me leje të posaçme. Kur është fjala për pajisje, që nuk përdoren direkt si armë, ose që mund të përdoren për qëllime civile si p.sh. motorë anijesh, atëherë vlejnë rregulla më liberale.
Afganistan, militantët sulmojnë qendrën e Kabulit
Persona të armatosur Talibanë dhe kamikazë kanë sulmuar qendrën e kryeqytetit afgan, Kabul në atë që duket të jetë një sulm i koordinuar. Të paktën, njërës ndërtese iu vu zjarri në një seri shpërthimesh dhe shkëmbime të zjarrit. Anëtarët e kabineti të ri qeveritar të Presidentit afgan, Hamid Karzai, po bënin betimin kur filloi sulmi. Ai tha se situata tani ishte nën kontroll.
Mediat janë shprehur se luftimet kanë përfunduar, por ka shqetësime se disa nga sulmuesit ende mund të jenë nëpër qytet. Luftimet u zhvilluan në një pjesë të qytetit përreth pallatit presidencial, hotelit Serena, Bankës Qëndrore dhe Ministrisë së Drejtësisë. Thuhet se midis të vdekurve ka shtatë sulmues, tre forca afgane të sigurisë dhe dy civilë. Më shumë se 70 vetë u plagosën.
19 Janar 2010