E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama thirrje politikanëve për të mënjanuar grindjet

Presidenti amerikan, Barack Obama u bëri thirrje politikanëve të lenë mënjanë grindjet abstrakte dhe debatet ideologjike dhe të përqendrohen te zgjidhja e problemeve afatgjata të vendit. Obama i bëri komentet në Mëngjesin e Lutjeve, një ceremoni e përvitshme tradicionale që e ka zanafillën rreth 60 vite më parë. Si çdo vit, në ceremoninë e sivjetshme të zhvilluar në Hotelin Hillton të Washingtonit, morën pjesë personalitete të larta amerikane dhe nga vende të tjera të ndryshme. Obama iu drejtua politikanëve me një thirrje për të lënë pas mosmarrëveshjet dhe për të bashkëpunuar: "Kjo frymë shpesh na mungon kur përpiqemi të zgjidhim problemet afatgjata me të cilat përballet vendi ynë dhe bota. Duhet të ndodhin ngjarje të bujshme si 11 shtatori, apo ndonjë tërmet ose tsunami që ne të zgjohemi" tha presidenti amerikan. Në fjalimin e saj, sekretarja e Shtetit Hillary Clinton kujtoi Mëngjesin e Lutjeve të vitit 1994, kur Nënë Tereza iu lut asaj të hapnin së bashku në ëashington një strehë për foshnjat e braktisura. "Ne jemi mësuar ta përfytyrojmë Zotin si një burrë me mjekër të bardhë. Por atë ditë ndjeva sikur kisha marrë një urdhër, dhe mesazhi më vinte jo nga kjo grua shtatvogël, por nga dikush shumë më larg. Na u desh të luftonim me burokracinë sepse puna ishte më e vështirë se sa ne mendonim. Nënë Tereza ishte personi më i palodhur që kam parë ndonjëherë. Më telefononte nga India, nga Vietnami, më shkruante letra deri sa streha u hap dhe ajo erdhi nga Kalkuta për të marrë pjesë në inaugurimin e saj", tha sekretarja Clinton.Në mëngjesin e lutjeve merrnin pjesë edhe personalitete nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›