Meksikë, 3 viktima nga moti i keq
Moti i keq në Meksikë, i shoqëruar me reshje të dendura shiu, ka provokuar vdekjen e të paktën tre personave. Reshjet dhe përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në brigjet e Michoachanit në Paqësor, ndërsa autoritetet në Meksiko City kanë deklaruar gjendjen e emergjencës.
Zyrtarët thanë se të paktën 2.000 shtëpi janë përmbytur pas reshjeve që kanë dominuar ne vend. Sipas autoriteteve është regjistruar rreth 1 metër shi. Situatë e renduar paraqitet në qytetin portual meksikan të Tuxpanit, ndërsa sipas statistikave të para të paktën 25 komuna janë goditur rëndë nga stuhitë e fuqishme që kanë provokuar daljen e lumenjve nga shtrati.
Një ndër të prekurat e kësaj situate, Aida Cornejo tha e përlotur se nga shtëpia e saj nuk kishte mbetur tashmë asgjë. Ndërsa drejtori i mbrojtjes civile të Michoacanit, Carlos Mandujano tha se situata për rajonin e goditur është shumë e zymtë. Të paktën 180 familje janë zhvendosur në strehimoret në Tuxpan, qyteti i dëmtuar më rëndë nga moti i keq. Në Mexico City, zyrtarët deklaruan sitautën e emergjencës, si pasojë e reshjeve të rëna prej disa ditësh. Në kryeqytetin meksikan janë evakuuar mbi 650 familje.