Hajdutët "sulmojnë" varret, alarmohet fshati
Dhunimi i varrezave rikthehet në juglindje të vendit. Këtë herë, pre e dëmtimeve kanë rënë varrezat e fshatit Pulahë në Korçë. Policia ka thënë se, pas një denoncimi nga vetë banorët e zonës, ka konstatuar edhe dhunimin e varrezave të fshatit. Kanë qenë dy varre, të cilat janë konstatuar fillimisht nga banorët me objekte të munguara dhe pllaka mermeri të dëmtuara dhe të hequra që kanë vënë në alarm edhe policinë lokale. Sipas të dhënave, në varrezat e fshatit janë dhunuar jo vetëm pjesët prej mermeri, por janë hequr dhe vjedhur edhe objektet dekorative prej bronzi. Dëmtimet në varret e fshatit Pulahë janë zbuluar në mesditën e së dielës dhe policia ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që kjo të ketë qenë vepër e fëmijëve të fshatit, megjithatë po punon për zbulimin e autorësisë, pasi dyshohet se objektet e vjedhura mund të kenë përfunduar në pikat e grumbullimit të hekurishteve për skrap.