Hajdutët vijnë nga Shqipëria
Banorët e fshatrave kufitare të Dragashit ankohen për hajdutë, të cilët vijnë nga Shqipëria. Ata thonë se ata u vjedhin bagëtinë, presin pyjet, kositin livadhet dhe u marrin edhe orenditë e shtëpisë …
Në Kërstac të Epërm dhe të Ulët, në shpatet e Koritnikut në kufi me Shqipërinë, banorët, duke kërkuar që mos të përmenden emrat e tyre, shprehin kështu problemet e tyre të përditshme pas ardhjes së trupave të Natos dhe tani kur kufiri ruhet nga pjestarët e Policisë së Kosovës: “Dhjetë ditë më parë, njërit i është vjedhur lopa në ahur. Këtij burrit këtu dhe vëllaut të tij po ashtu iu janë vjedhur lopët. A do të vish në shtëpinë time të shohësh se çfarë qeni kam? Më lehtë është të mbajë një lopë, por më duhet të mbajë qenin. Na e kanë vrarë edhe një njeri. Njerëzit kanë filluar të blejnë troje në Hënë e ne i shesim tonat”, thotë një i ri, banor i fshatit Kërstac i Ulët, që ndodhet dhjetë kilometra larg Dragashi.
Gjumë me pushkë të mbushur
Si mund të ndodhö kjo që në shekullin e 21-të të flejmë me pushkë të mbushur? Ata më kanë hyrë në shtëpi, unë kam shkuar në polici të kërkoj vërtetimin, ata nuk ma japin. Unë kërkoj të më japin procesverbalin, ata thonë se ne nuk japim procesverbale. Unë iu kam drejtuar edhe me shkrim”, thotë një fshatar më në moshë i Kërstacit të Ulët, fshat me disa qindra banorë.
“Unë mbjell çdo vit, për mos ta tepruar, të paktën 30 pemë. Kur unë kthehem vitin e ardhshëm – nuk është asnjë”, thotë një pensionist nga Kërstaci i Ulët, i cili me familje jeton në Beograd, ndërsa verës vjen në fshatin e tij të lindjes.
Në anën tjetër të komunës, në Zli Potok, fshatin e lindjes së futbollistit të njohur Fahrudin Jusufi, dy netë më parë i kanë ndjekur hajnat, por nuk kanë arritur t’i kapin. Smajo Xhemolar nuk ka frikë që t’i përmendet emri dhe ankohet se kjo është hera e parë pas 60 vitesh, qö ka mbetur pa lopë në ahur dhe kështu edhe pa qumësht dhe mish për familjen.
Një familjeje i janë vjedhur pesë lopë
“Një kushërires sime i janë vjedhur pesë lopë. Një herë tre, ndërsa herën tjetër edhe dy të tjera. Pastaj dhëndrrit i janë vjedhur dy lopë. Policia ka ndërhyrë, por as nga kjo nuk ka asgjë”, sqaron Xhemolar. Mehmed Hamza, drejtor i zyrës komunale për komunitete dhe kthim në Dragash, konfirmon vjedhjet, por, sipas tij, ky është një “fenomen i diskutueshëm, që shfaqet gjatë verës.” “Duhet të merret parasysh se jo të gjithë hajdutët vijnë nga Shqipëria, por ekzistojnë edhe bashkëpuntorët nga kjo anë. Ne shumë herë për këtë temë kemi diskutuar në Kukës, Prizren, apo Dragash me përfaqësuesit e komunës së Kukësit. Këto takime kanë dhënë rezultate, kriminaliteti ka rënë dukshëm. Megjithatë këtu policia duhet të kujdeset për ata njerëz, që kanë një të kaluar kriminale, të cilët ndodhen në anën tonë përkarësisht tek pala kosovare”, thotë Hamza, i cili është përndryshe përfaqësues i boshnjakëve në Dragash./DW