Absurdi, Flota Detare shqiptare do drejtohet nga një ushtarak i këmbësorisë
Flota Detare e Shqipërisë drejtohet tashmë si asnjëherë tjetër nga një ushtarak që specialitetin e tij ka forcat tokësore. Qemal Shkurti, para dy ditësh mbante gradën e Kolonelit, por brenda një dite mori gradën madhore Gjeneral Brigade nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërkohë që u emërua dhe komandant i Flotës Detare. Ky emërim vjen në një kohë kur Flota do të ketë pjesën e luanit në përgatitjen e dokumenteve dhe hartave për negociatat me Greqinë në lidhje me kufirin detar mes dy vendeve, raporton “Shqip”.
Këtë emërim, por edhe të gjithë procesin e përgatitjes së bisedimeve, e ka cilësuar jo serioz ish-komandanti i Flotës Detare, Kudret Çela. Në një prononcim për gazetën Shqip, kundëradmiral Çela deklaroi se i gjithë procesi duhet të bëhet serioz kur të miratohet një ligj i ri për të gjithë kufirin, i cili duhet të parashikojë qartësisht identifikimin e të gjithë vijës kufitare tokësore dhe në këtë rast bregdetare dhe në bazë të tij do të duhet të zhvillohen bisedimet për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare. Po çtë them në këtë moment, kur situata nuk është serioze, pasi në krye të Flotës Detare, emërohet një ushtarak i këmbësorisë.