E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajduti tenton të vrasë të zotin e shtëpisë që e kapi brenda

Korçë, Kristo Qirjako ka kapur në flagrancë grabitësin e banesës së tij por ai i është kthyer duke e qëlluar

KORÇË- Një hajdut ka hyrë në një shtëpi për të grabitur por kur është kapur ka tentuar që të vrasë të zotin e shtëpisë. Ngjarja që për pak sa nuk është kthyer në tragjedi, ka ndodhur gjatë mesditës së djeshme në qytetin e Korçës. 23- vjeçari Edion Mollymeri ka hyrë në fshehtësi të plotë në shtëpinë private të Kristo Qirjakos, ndërsa ka nisur të hartojë planin se çfarë sendesh me vlerë kishte shtëpia. Por hajduti nuk ka menduar, se në shtëpi do të kishte njerëz, ndaj është përfshirë nga paniku kur ka dëgjuar se i zoti i shtëpisë është rikthyer në një kohë të papërshtatshme për të. Në këto kushte, bëjnë të ditura burimet zyrtare të policisë, 23- vjeçari ka përfunduar në tavanin e shtëpisë për tu fshehur. Por aventura e të riut hajdut nuk është mbyllur me kaq. Ai ka menduar të qëndrojë aty deri sa të largohen njerëzit, porse i zoti i shtëpisë e ka kuptuar që kishte vizitorë të padëshiruar në shtëpi. Në këto kushte, ai ka vepruar në kohë duke kapur mat të riun, i cili në këto momente ka vendosur të përleshet me të zotin e shtëpisë, të cilit për më tepër i kishte pushtuar banesën. Hajduti ka përdorur dhunë ndaj Qirjakos duke e goditur atë, madje ka tentuar ta vrasë për t’i shpëtuar dhe prangave. Për fat të mirë, 50- vjeçari ka dalë me shpejtësi në oborrin e shtëpisë duke kërkuar për ndihmë, ndërkohë që hajduti që ka dashur ta vrasë duke përdorur disa mjete të mprehta rrethanore. Ai ka braktisur vendin që kishte zgjedhur si shënjestrën e tij. Vetëm disa momente pas ngjarjes i dëmtuari ka njoftuar policinë lokale, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Më pas ai ka detajuar pamjen e të riut, që nuk ka qenë aspak e vështirë për tu identifikuar nga policia. Kjo edhe për faktin se ai kishte lënë shenja gishtash në disa ambiente të shtëpisë, ku kishte hyrë nëpërmjet murit rrethues të jashtëm të saj. Vetëm pas disa orë kërkimesh policia e Korçës ka arrestuar Edion Mollymerin, mbi të cilin rëndojnë tre akuza, ajo e kanosjes për vrasje, dhunimit të banesës dhe vjedhjes të mbetur në tentativë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›