Vrasja e Saliut nga më shumë se dy persona
DURRËS- Ekzekutimi mafioz i Arian Saliut dy ditë më parë në qytetin e Durrësit ka qenë i mirorganizuar dhe në të kanë marrë pjesë më shumë se dy persona. Atentatorët mendohet se kanë studiuar prej kohësh të gjitha lëvizjet e tij dhe pasditen e së hënës janë hedhur në veprim duke finalizuar planin e nisur prej kohësh. Në mbështetje të dy vrasësve me motor mendohet se ka qenë edhe një makinë, e cila ka ruajtur lëvizjet e vëllait të Klodian Saliut dhe ka pritur rastin që ajo të vinte në vendin ku ishte ngritur pusia. Edhe mënyra e ekzekutimit ka qenë tepër profesioniste duke lënë policinë vetëm me disa gëzhoja dhe dëshmi të mangëta që nuk e ndihmojnë aspak për të zbardhur identitetin e autorëve. Këto të dhëna janë pohuar dje nga grupi hetimor i çështjes, i cili edhe pse ka mbledhur dhjetëra dëshmi e ka shoqëruar në komisariat më shumë se 20 persona, ende nuk ka mundur që të zbulojë ndonjë gjë konkrete.
Personat e parë që janë shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje ishin banorë të lagjes së viktimës Arian Saliu. Pas tyre janë marrë dëshmitëe të afërmve të viktimës për të siguruar informacion nëseka pasur apo jo ndonjë paralajmërim ose edhe ndonjë grindje tjetër përveç konfliktit të gjatë me bandën e Lul Berishës. Ndërkohë që janë mbajtur në polici gjatë natës persona që kanë pasur biznese në afërsi të kryqëzimit ku u bë atentati. Por dëshmitë e tyre kanë qenë të mangëta për arsye se aksioni vrastar është bërë në mënyrë të rrufeshme pa i lënë kohë as viktimave që të largohen e as njerëzve përreth që të konstatojnë ndonjë gjë të veçantë. Krismat e automatikut kanë qenë të shpejta dhe të thata sa që shumë njerëz të ndodhur në afërsi nuk kanë kuptuar se çfarë po ndodhte realisht. Një person që është ndodhur në afërsi të kthesës ku u bë ekzekutimi mafioz i Arjan Saliut, ka thënë “kujtova se mos po kërciste marmita e ndonjë makine”. Pas hetimesh intensive, duke mbledhur pjesëza nga shumë dëshmi fragmentare të personave të ndryshëm që janë shoqëruar në rajon, policia ka arritur që të bëjë të plotë hartën e dinamikës së atentatit të ndodhur, duke e ngushtuar ndjeshëm rrethin e të dyshuarve se kush janë autoret e vrasjes mafioze. Në proces verbalet e dosjes hetimore janë hedhur persona në konflikt me viktimën që mund të kenë pasur interesa direkt për eliminimin e tij.
Hetuesit mendojnë se atentatorët kanë qenë në lëvizje pasi ata kanë ditur më së miri destinacionin e objektivit të tyre. Madje policia po heton edhe në një pistë tjetër se kush mund të ketë qenë makina shoqëruese që mund t’i ketë njoftuar me celular për arritjen e objektivit. Dëshmitarë okularë nga vendngjarja kanë deponuar se afërsia e motorit të vrasësve me mjetin ka qenë shumë e madhe. As shoferi i makinës nuk ka mundur që të njohë dy vrasësit e maskuar. Ai ka treguar se vrasësi, pasi ka zbrazuar karikatorin e automatikut, ka kthyer kokën pas për tu siguruar se e kishte kryer “punën”. Më pas motori i vogël me ngjyrë të errët është larguar me shpejtësi. Në kërkim të mjetit motorik janë vënë specialistë të policisë kriminale si dhe po bashkëpunohet me policinë rrugore se kush mund të ketë mjet të tillë por deri tani nuk është zbuluar asgjë. Me hetimet e çështjes është ngarkuar direkt edhe kreu i drejtorisë për Krimet e Rënda në ministri, Tonin Voci, i cili është një njohës i mirë i zinxhirit të vrasjeve të bandave të Durrësit.
EKSPERTIZA
Viktima me katër plumba në kokë
Gjatë analizës që i është bërë trupit të të vrarit në morgun e Durrësit nga specialistët mjeko-ligjorë është konstatuar se viktima kishte marrë në trup 10 goditje me plumba, shumë prej të cilave kishin qenë vdekjeprurëse. Madje katër goditje i kishte marrë në kokë dhe të tjerat në pjesë të ndryshme të gjoksit. Vetëm një goditje kishte marre llamarina e makinës dhe plumbi kishte mbetur në muret e brendshme të derës. Ekspertët e laboratorit kriminalistik kanë konstatuar se plumbat e përdorur, kalibër 7.65 mm, mund të jenë fishekë të prodhuar në ish -Jugosllavi nga firma “Zastava”.