Sherr në portin e Vlorës, dy të arrestuar
Vlorë- Sherri për radhën e shkarkimit të mallit në Portin e Vlorës ka degjeneruar në përleshje dhe zënie me grushta. Incidenti është shënuar në orët e vona në mbrëmjes, ndërkohë që pas hetimeve parprake policia ka arrestuar në flagrancë dy persona, të akuzuar për kundërshtim me dhunë të punonjësit të portit e më pas edhe atij të policisë.
Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale mësohet se në pranga kanë përfunduar
Pëllumb Brokaj, 51-vjeç, banues në Vlorë dhe Arben Saliu, 42-vjeç, banues në Kuçovë.
“Këta dy shtetas janë ndaluar, sepse pas një sherri të ndodhur në port për radhën e shkarkimit kanë kundërshtuar me dhunë punonjësin e portit, si edhe të policisë, që mbërriti në vendin e ngjarjes më pas”- thanë të njëjtat burime.
Dy personat, përfaqësues të dy firmave të gazit, ishin duke pritur në port për të bërë shkarkimin e mallit dhe kanë pretenduar se ishin ata në radhë. Por, para tyre ka shkarkuar në tjetër mjet. Në shenjë rebelimi ata kanë bllokuar për disa kohë peshoren e portit, duke bllokuar punën.
Situata është acaruar pas ndërhyrjes së autoriteteve të portit dhe atyre të sigurisë. Dy personat në fjalë, sipas policisë kanë fyer e më pas goditur me grushte punonjësin e portit dhe nuk janë ndaluar as pas ndërhyrjes së policisë.
Pas kësaj, ata janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të Vlorës, në pritje të vendosjes së masës së sigurisë, në ngarkim të tyre.