Masakra e Cërrikut, shtyhet seanca e parë e gjyqit
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda hapi procesin gjyqësor për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në Shqipëri nëvitin 1997, që njihet si “masakra e Cërrikut”. Për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e 16 të tjerëve janë arrestuar nëntë persona, të cilët janë ulur dje në bankën e të akuzuarit. Seanca e djeshme, e para e këtij procesi u shty për javën e ardhshme, për shkak se në sallën e gjyqit mungonin disa nga përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve të akuzuar si autorë kryesorë të kësaj ngjarjeje makabre. Sipas prokurorisë, ndaj të pandehurve të këtij procesi janë ngritur disa akuza, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në pozicione të ndryshme gjatë sulmit kanë kryer veprat penale të “vrasjes në rrethana te tjera cilësuese më shumë se njëherë” dhe “vrasjes në rrethana cilësuese më shumë se njëherë, të mbetur në tentativë”. Sipas akuzës, nga hetimet e kryera ka rezultuar se me datën 22 maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa persona posta e policisë së qytetit Cërrik nga ku janë larguar me forcë punonjësit e policisë. Të nesërmen, më datë 23 maj forcat e policisë së komisariatit të Elbasanit, në bashkëpunim me forcat speciale të Gardës së Republikës së asaj kohe janë nisur për në Cërrik për të rivendosur rendin dhe qetësinë publike. Sapo kanë hyrë në qytetin e trazuar kanë rënë në pritë të anëtarëve të Komitetit të Shpëtimit të asaj kohe dhe janë sulmuar nga shumë banorë të Cërrikut, të organizuar nga i pandehuri Met Bozi e Llazar Bicja, ku nga shkëmbimi i zjarrit ndaj efektivëve të policisëmbetën të vrarë 6 gardistë dhe u plagosën 16 punonjës të tjerë të policisë. Të pandehurit e këtij procesi gjyqësor janë: Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Xhepexhiu, Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi.