Hajni n’pastrim?

Zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës sërish dyshohet se janë të përshirë në afera korruptive.
Pas arrestimit dhe paraburgimit për gjashtë zyrtarët komunalë, gazeta ka mësuar nga burimet e veta në policinë për krime ekonomike se zyrtarë të Komunës janë duke u hetuar si të përfshirë në afera të forta korruptive.
Ky burim i ka sqaruar gazetës në kushte anonimiteti se policia është duke hetuar aktualisht mënyrën e dhënies së tenderëve për mirëmbajtën e qytetit të Prishtinës.
Aty besohet se është shkelur me të dy këmbët Ligji i prokurimit publik, ku në këtë rast ka fituar tenderin kompania, e cila ka qenë më e shtrenjtë
“Dyshohet që Komuna u ka dhënë tender këtyre kompanive, edhe pse ka qenë një kompani tjetër, e cila ka konkurruar me një çmim më të ulët”, ka thënë ky burim për Express.
Tashmë hetimet rreth këtyre tenderëve kanë filluar para disa kohësh dhe se shumë shpejt priten rezultate konkrete.
“Policia është duke hetuar zyrtarët komunalë si të përfshirë në këto afera dhe pronarët e kompanive që kanë fituar tenderët. Shumë shpejt mund të ketë rezultate konkrete për këtë rast”, ka rrëfyer ky burim për gazetën.
Komuna e Prishtinës mbetet besnike kur është fjala për dhënien e tenderëve. Ajo edhe këtë vit, për pastrimin e rrugëve të Prishtinës, ia ka dhënë tenderin kompanive të njëjta, e të cilat qysh nga vitit 2007 vazhdojnë ta rimarrin të njëjtin tender.
Është fjala për kompaninë “Zahiri”, kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” dhe kompania “Toifor”.
E përveç rezervimit të tenderëve, që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e qytetit gjatë sezonit të verës, këto tri kompani dalin fituese për kujdesin e rrugëve edhe gjatë dimrit.
Sipas zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, këto tri kompani i kanë përmbushur të gjitha kriteret, dhe sipas tyre, kjo është arsye që e kanë fituar tenderin.
“I kanë plotësuar kushtet e parapara sipas përshkrimit të tenderit dhe kanë qenë më të favorshme ekonomikisht”, ka thënë Muhamet Gashi, zëdhënës për Express.
Sipas tij, kanë qenë edhe tri kompani që kanë aplikuar për këtë tender në të njëjtën kohë. “Por çmimi ka qenë më i lartë sesa i këtyre që kanë fituar”, tha ai.
Tenderi për mirëmbajte të qytetit, i fituar për këtë vit, është në vlerë afro 20 mijë euro dhe është ndarë në tri pjesë të barabarta. Për këtë tender, në garë kanë qenë gjithsej pesë kompani. Kriteret për kompanitë që pretendojnë të jetë fituese, ka qenë qarkullimi financiar. Në të njëjtin tender, pos qarkullimit financiar si kapacitet i domosdoshëm ekonomik, janë kërkuar edhe disa kapacitete teknike dhe profesionale, dy kamionë cisterna për larjen e rrugëve, një të tillë për debllokimin e kanalizimit dhe një kamion apo tjetër mjet për fshirjen e rrugëve dhe trotuareve.
Historia e tenderëve
Këto kompani edhe vitet e kaluara kanë “vjelë” tenderë te ndryshëm nga Komuna e Prishtinës. Në vitin 2007, tenderin për mirëmbajtje të rrugëve e kishte fituar kompania “V.Z.Company” për 7914 euro dhe kompania “Dardania” për 8870 euro, në një tender që krejt ishte 11,250 euro.
Në kompaninë e parë ishte aksionar Isuf Zymeri, që tash është po ashtu si bashkëaksionar në “Toifor”, që ka marrë pjesë nga ky tender edhe këtë vit.
Një vit më vonë, të njëjtin tender e fitoi kompania “Toifor”, e cila mori 92,990 euro për pjesën e parë dhe Ndërmarrja Regjional e Mbeturinave “Pastrimi”, që është kompani publike, dhe mori pjesën e dytë të tij, apo 86,992 euro.
Në vitin 2009, po të njëjtin tender e fiton kompania private “Zahiri”, që ka hise edhe në tenderin e vitit 2010 dhe mori dy nga tri pjesët e tij. Për pjesën që e fitoi, ajo u pagua mbi 100 mijë euro, kurse pjesa e tretë e tenderit, që e fitoi kompania publike “Pastrimi”, mori 83,836 euro.
Edhe gjate vitit 2010, janë bashkuar të tria në një tender, ku që të gjitha kanë marrë pjesë të barabarta nga ai. Pjesën e parë të tenderit e mori kompania Private “Zahiri” dhe do të paguhet 94,530 euro, por si punë do të ketë të mirëmbajë 369,605 m2.
Pjesën e dytë e mori “Toifor” për 97,850 e do të mirëmbajë 355,810 m2. Kurse, edhe këtë vit, pjesa e tretë e tenderit i takoi kompanisë publike “Pastrimi”, por edhe ajo do të paguhet ngjashëm me dy kompanitë private, apo më saktë me 96,800 euro për mirëmbajtjen e hapësirës prej 354,450 m2.
Derisa Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” që është pjesë e tenderit për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe trotuareve të Prishtinës, nuk ka as bord udhëheqës, kompanitë që kanë hise në tenderin për këtë vit, por edhe nëpër vite, kanë pronarë.
Kompania “Zahiri”, që është regjistruar në vitin 2006 si kompani për trajtimin e ujërave ndotës, trajtimin e hedhurinave, veprimtarive sanitare etj, ka vetëm Savdali Zahirin si pronar. Kurse, kompania “Toifor” ka dy aksionarë Enver e Isuf Zymerin.
Kompania “Toifori”, tash e dy vjet e fiton tenderin për pastrimin e rrugëve në Prishtinë dhe para këtij tenderi ajo fitoi edhe tenderin për mirëmbajtje të rrugëve lokale. Isuf Zymeri, si bashkëaksionar në “Toifor” kishte fituar tenderin për mirëmbajtje të rrugëve në kryeqytet edhe në vitin 2008, por atëherë me një kompani tjetër, “V.Z Company”.