Hajvalia zyrtarizon Ahmetin, e pret Jetullahun

Anëtarja e re e Superligës së Kosovës, Hajvalia nuk ka të ndalur duke u përforcuar me futbollistë për edicionin e ri që nis më 18 gusht. Pas Faruk Statovcit, Ilir Avdylit, Armend Kastratit, Visar Zogianit, Nikollë Dushit, Samir Zenelit e Bajram Zuqakut, kjo skuadër e ka bërë edhe një përforcim të ri.
Ekipi që udhëhiqet nga Emin Bajrami, të dielën e ka zyrtarizuar transferimin e futbollistit të njohur, Bashkim Ahmeti, i cili së fundmi ka luajtur me Prishtinën. Qendërmbrojtësi ka arritur marrëveshje njëvjeçare me anëtaren e re të Superligës.
“Pas Bajram Zuqakut, kemi arritur marrëveshje edhe me Bashkim Ahmetin. Të paktën një edicion ai do të luajë për ekipin tonë”, tha trajneri Emin Bajrami.
Por, përforcimet e Hajvalisë nuk do të përfundojnë me kaq. “Jemi në bisedime edhe me Labinot Jetullahun. Sipas të gjitha gjasave, ai do të na bashkohet, dhe me të do t’u japim fund përforcimeve”, u shpreh Bajrami.