E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakerat e “Matrix 4” kërkojnë pafajësi

Autori i Lajmit: red.
Të pandehurit e dosjes “Matrix 4” kanë dhënë pretendimet e tyre në lidhje me akuzën e ngritur nga Prokuroria. Trupi gjykues ka dëgjuar ditën e djeshme mbrojtjen e pesë prej 15 të pandehurve. Ata akuzohen për “vjedhje me anë të mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë. Dje është dëgjuar mbrojtja e Ledio Dokos. Avokati mbrojtës ka kërkuar lirimin e klientit dhe shpalljen e tij të pafajshëm. Gjithashtu, pafajësi kanë kërkuar edhe avokatët e të pandehurve Anil Gjergjani dhe Fatmir Kolmarku, ky i fundit është duke u gjykuar i lirë. Avokatët mbrojtës kanë pranuar konsumimin e veprës penale që në momentin që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Po në seancën e djeshme është dëgjuar edhe mbrojtja e avokatit të Klajdi Terollit, i cili ka kërkuar ndryshim të veprës penale. Avokati ka kërkuar ndryshimin e kësaj vepre penale në një vepër më të lehtë. Tashmë në seancën e radhës pritet të dëgjohet edhe fjala mbrojtëse e dhjetë të pandehurve të tjerë. Gjatë pretencës, prokurori kërkoi dënimin e Endrit Gjergjanit (Laro) me 8 vjet burg, Ledio Dokos, 3 vjet; Anil Gjergjani (Laro), 4 vjet. Këta persona akuzohen për “mashtrim dhe falsifikimin e letrave me vlerë, në bashkëpunim, më shumë se një herë”. Gjithashtu, prokurori kërkoi dënimin e Klajdi Therollit me 200.000 lekë gjobë, si dhe Fatmir Kolmarkut, 200.000 lekë gjobë. Këta persona akuzohen për “moskallëzim krimi”. Të pandehurit akuzohen se kanë klonuar kartat e kreditit tip "Vissa" dhe "Master Card", duke shkaktuar vjedhjen në dhjetëra degë bankare të një shume të konsiderueshme.
Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›