Hakerat serbë, sulmohet faqja e internetit të Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare
TIRANË - Faqja zyrtare në internet e Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare u sulmua më datën 10 korrik nga hakerat serbë. Gjatë disa ditëve sistemi virtual i Institutit u paralizua. “Kjo është krejtësisht e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme,” u shpreh një zëdhënës i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë. “Arkiva elektronike dhjetëvjeçare e Institutit është zhdukur,” pohoi zëdhënësi. Sulmi është krejtësisht i pakuptimtë, kur dihet se Instituti kryen veprimtari publike dhe materialet janë gjithashtu publike. Aq më shumë të paqarta bëhen motivet e këtij sulmi dhe nuk kuptohet përse hakerat serbë kanë vënë në shënjestër AIIS-në. Sulmet midis hakerave serbë dhe shqiptarë janë të shpeshta por kurrë nuk ka ndodhur të sulmohet sajti i një qendre studimore. Hakerat serbë kanë mundur të penetrojnë në faqen zyrtare të qeverisë apo institucioneve të tjera shtetërore, por duket krejt i pakuptimtë sulmi ndaj një qendre studimore. Bashkë me sajtin zyrtar të AIIS-së, është sulmuar ditën e mërkurë më 21 korrik 2010 dhe është bërë i papërdorueshëm edhe një sajt tjetër i Institutit, një qendër informacioni dhe kërkimi për marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Shkatërrimi i kësaj qendre virtuale sipas ekspertëve të IT-së ka shumë gjasa që të mos ketë qenë qëllim në vetvete, por shkatërrimi ka ardhur për arsyen se domeini i AEURIC-ut është i lidhur me domeinin kryesor të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare. Zëdhënësi i AIIS-së pohoi se pas një pune 12 ditore me ekspertë të specializuar faqja zyrtare e AIIS u kthye në funksionim dhe po punohet për faqet e lidhura me të. “Ky është një dëm i konsiderueshëm dhe është e habitshme,” tha zëdhënësi, “se si ka qenë i mundur sulmi mbi sajtin e AIIS-së por edhe të AEURIC-ut, qendrës kërkimore dhe informimit për marrëdhëniet Shqipëri-BE, po të mbahet parasysh fakti se sajti i AIIS-së dhe i AEURIC-ut janë hostuar nga një kompani amerikane.” Instituti i Studimeve Ndërkombëtare është një qendër studimore me reputacion brenda dhe jashtë vendit dhe me një aktivitet të spikatur me studime dhe evente publike që lidhen me politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
23 Korrik 2010