E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Apelit lë në burg ish-diplomatin e arrestuar për llogari të SHBA-së



Laureta RRYÇI
TIRANË - Gjykata e Apelit me treshe gjykuese Alaudin Malajn, Shkëlqim Mirin dhe Zeqine Sollakun lanë në burg për 60 ditë ish-punonjësin Ministrisë së Jashtme Almir Rrapon. Ky i fundit u arrestua në fillim të korrikut në ambientet e ambasadës amerikane për llogari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas Prokurorisë, atij i adresohen tre akuza, pengmarrje në ndihmë të shantazhit, armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje droge, veprime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Më herët për 27-vjeçarin Almir Rrapo, gjykatësi i Shkallës së Parë Tiranë, Agim Bendo kishte caktuar 40 ditë arrest me burg.
Ankesa
Prokurori i Apelit Dritan Peka e cilësoi këtë vendim të Bendos, të gabuar dhe sipas tij Gjykata e Apelit duhet të jepte 60 ditë mase sigurimi personal, një kohë minimale që lidhet me procedurat për ekstradimin e tij drejt Amerikës ku 10 persona të tjerë janë arrestuar për çështjen e trafikut të 100 kilogramëve marihuanë në Micigan dhe Nju Jork. Ndërkohë avokati mbrojtës i ish-punonjësit Almir Rrapo, Ardian Visha tha se në këtë dokumentacion të percjellë Shqipërisë nga amerikanët mungon emri i Almir Rrapos.
Kërkesa
I pandehuri Almir Rrapo i kërkoi gjykatës një mundësi që duke i dhënë lirinë të provonte se ai nuk ishte një i arratisur. Ndërsa sipas avokatit Visha, klienti i tij ka qenë në Shqipëri që prej 2005-s, pavarësisht se dokumentacioni flet për një veprimtari kriminale që përfshin vitet 2003-2007. Pas pretendimeve të dyja palëve, kolegji i Apelit u tërhoq për vendim duke lënë në fuqi kërkesën e përfaqësuesit të akuzës. Afati i caktuar nga Gjykata, do t’i shërbejë institucionit të akuzës për të përgatitur të gjitha dokumentacionet e nevojshme për ta ekstraduar Rrapon drejt SHBA-së. Ky proces u ndoq edhe nga një vëzhgues i ambasadës amerikane në Tiranë.

Precedentë
22 mars 2009
Dy vëllezër nga Shkodra janë ekstraduar në drejtim të SHBA-së, pasi kërkohen për trafik të lëndëve narkotike. Fatbardh dhe Verjan Shtiza, përkatësisht 37 dhe 30 vjeç nga qyteti i Shkodrës, do të gjykohen në Nju Xhersi për veprën penale të "Mbajtjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike".

12 shkurt 2010
Gazmir Gjoka, i arrestuar në Tiranë në nëntor të vitit 2009 për llogari të zyrës së FBI-së së Nju Xhersit do të gjykohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjykata e Tiranës vendosi miratimin e ekstradimit drejt kontinentit amerikan të Gjokës, i cili akuzohet për "trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike".

7 prill 2010
Interpol Tirana ekstradoi në SHBA shtetasin Fran Malocaj, i kërkuar nga autoritetet amerikane për akuzën e vjedhjes dhe trafikimit të mjeteve luksoze motorrike.

23 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›