E Diel, 1 Nëntor 2026

Baxhanaku vjedh me maska baxhanakun, dy në pranga



GJIROKASTËR - Baxhanaku vjedh me dhunë baxhanakun. Ngjarja e rrallë ka ndodhur në Gjirokastër mbrëmjen e dy ditëve më parë. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se, rreth orës 01:30, të mëngjesit, efektivët e Parandalimin të Krimit në Policinë e Gjirokastrës në bashkëpunim me Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut kanë bërë ndalimin e dy personave, pasi të maskuar kanë grabitur nj 44-vjeçar, duke i marrë shumën prej 20 mijë lekësh dhe një celular. Të arrestuarit janë, Luljan Ferzaj, 21 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Puntore dhe Bujar Skënderaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Kodra e Shtufit, Gjirokastër. Ky i fundit është baxhanaku i personit të grabitur me inicialet A. P.
Ngjarja
Dy ditë më parë në lagjen ‘Kodra e Shtufit” të Qytetit Gjirokastër, në afërsi të “Vilës Sharm”, viktima e grabitjes me inicialet A. P., 44 vjeç, lindur dhe banues në këtë lagje, duke shkuar për në shtëpi, i kanë dalë para dy persona të maskuar. Ata e kanë gjuajtur me sende të forta dhe më pas i kanë vjedhur një shumë prej 20 mijë lekësh si dhe një celular të markës “Nokia”. Pas ngjarjes ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke përfituar edhe nga errësira. Një telefonatë ka njoftuar policinë për krimin e ndodhur. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, të cilët kanë dërguar në spital të dëmtuarin dhe më pas i kanë marrë dhe dëshminë. “Rreth orës 21:00, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ardhur një telefonatë nga një shtetas se e kanë vjedhur me dhunë në lagjen “Kodra e Shtufit”, të qytetit Gjirokastër, dy persona të panjohur”, tha policia. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Patrullës së Përgjithshme, efektivët e Parandalimit të Krimit në Policinë e Gjirokastrës, etj.
Arrestimet
Mbi bazën e iformacioneve të marra në rrugë operative dhe punës së bërë nga ana e policisë, si dhe angazhimit të një numri të madh të uniformave blu, është bërë i mundur, që disa orë pas ngjarjes ajo të zbardhej plotësisht dhe autorët të arrestohen në flagrancë. Arrestimi i tyre është bërë në orën 01:30 minuta të mëngjesit të djeshëm. ku u janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: “Celulari dhe një sasi të lekëve të grabitura”. Ndërsa shtetasit të dëmtuar, menjëherë i është dhënë ndihma e nevojshme nga ana e policisë duke e transportuar për në spital, ku ka marrë ndihmën e parë mjeksore dhe më pas ka dalë nga Spitali pasi gjendja shëndëtësore e tij ishte e qëndrueshme . Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”.

23 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›