Hakerat serbë sulmojnë faqen e ministrisë së Energjisë në Kosovë
Hakerat serbë kanë sulmuar faqen zyrtare në internet të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave të qeverisë së Kosovës, duke vendosur në të simbole kombëtare serbe dhe urime për festën e Krishtlindjeve ortodokse. Piratët kanë shkruar në këtë faqe interneti "Srecan boziç !!!!!!", ose 'Urime për Krishtlindjet ortodokse', si dhe "Përshëndetje nga Akademia Ushtarake" dhe "Kosova është Serbi", bashkë me flamujt serbë dhe një ikonë mesjetare kishtare ortdokse serbe. Grupi i ashtuquajtur "CoNsT", të mërkurën ka sulmuar edhe faqen e internetit të 'Entit të Statistikave të Kosovës', një agjenci qeveritare në Kosovë. Në këtë faqe është vendosur parulla "Kosova është zemër e Serbisë" dhe një flamur serb me stemën nacionaliste me katër shkronja 'S'.