E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci fiskal i qeverisë, rënie më e madhe te biznesi i vogël



Bizneset e vogla që veprojnë në Shqipëri duket se po përballen me më shumë vështirësi ekonomike në krahasim me biznesin e madh, gjë që i ka detyruar të ulin numrin e punëtorëve, bëhet e ditur nga një raport i detajuar i Ministrisë së Financave për periudhën janar-prill 2010. Statistikat tregojnë për rënie në qarkullimin e brendshëm të mallrave, pra rënie të konsiderueshme të shitjeve në krahasim me një vit më parë, si dhe për ulje të punësimit nga biznesi i vogël. “Për sektorin privat, rritja e të punësuarve (mesatarisht në muaj) ka qenë 0.9 për qind mbi baza vjetore (dymujor 2010 kundrejt dymujor 2009). Megjithatë, brenda kësaj shifre, subjektet me TVSH kanë në rritje të kontribuuesve prej 6.6 përqindësh ndërsa subjektet e biznesit të vogël një ulje prej 11.9 përqindësh (shoqëruar dhe me ulje të pagës mesatare për efekt kontributesh prej 11.6 përqindësh)”,- thuhet në analizën e përgatitur nga ekspertët e MF-së. Biznesi i vogël është një nga segmentet më vitalë në drejtim të punësimit të shqiptarëve. Rreth një në katër punëtorë i përkasin biznesit të vogël, kryesisht në tregti e shërbime. Ka gjasa që kriza të mos jetë shkaku i vetëm i këtyre ndryshimeve. Qeveria vendosi të ulë pragun e klasifikimit të biznesit të vogël nga 8 në 5 milionë lekë dhjetorin e kaluar. Kjo do të thotë se bizneset që bëjnë xhiro mbi 5 milionë lekë, duhet të regjistrohen si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Një pjesë e bizneseve të vogla u mbyllën për fare apo u mbyllën për t’u riregjistruar nën një emër të ri, me qëllim që të shmangnin klasifikimin si biznes i madh.

Raporti i Doganave, me shtimin e kontrabandës rritet dhe zhdoganimi i cigareve

Të ardhurat nga akciza gjithsej për periudhën janar-prill arritën në rreth 10.3 miliardë lekë nga 11.2 miliardë lekë të planifikuara, duke realizuar planin në masën 92.2 për qind, ose 0.9 miliardë lekë më pak se parashikimi. Nga administrata doganore janë mbledhur rreth 6.3 miliardë lekë nga 7.1 miliardë lekë të planifikuara për periudhën janar-prill, me një mosrealizim të planit prej 12.15 për qind ose rreth 0.9 miliardë lekë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, të ardhurat nga akciza në doganë janë 1 miliard lekë më shumë ose 18.3 për qind. Sipas llojit të mallrave kryesore me akcizë, karburante që janë zhdoganuar për periudhën janar-prill 2010 është 124.970 tonë, me rënie 7.4 për qind ose 10.000 tonë krahasuar me një vit më parë. Kurse sasia e cigareve të zhdoganuara është 1.118 tonë, me një rritje prej rreth 17.2 për qind ose 164 tonë krahasuar me një vit më parë. Sa i takon kafesë, kemi një nivel zhdoganimi prej 1.575 tonë, me rënie prej rreth 23.9 për qind ose 496 tonë më pak se vitin e kaluar, kurse birrë është zhdoganuar rreth 7.8 milionë litra, me një rënie prej 4.6 për qind ose 377 mijë litra. Të ardhurat nga akciza
që ka mbledhur dogana përbëjnë 60.9 për qind të të ardhurave gjithsej dhe ecuria e tyre ka qenë vendimtare në realizimin e këtij zëri në buxhet.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›