E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i MEICO-s: “Delijorgji na ka borxh 500 mijë euro”



Laureta Rryçi

Mihal Delijorgji i detyrohet MEICO-s që nga viti 2008, 500 mijë USD. Borxhi ende nuk është shlyer ndaj ndërmarrjes shtetërore që merret me shitjen e municioneve për shkak të ngrirjes së llogarive nga ana e Prokurorisë. Kështu deklaroi dje në sallën e gjyqit drejtori aktual i MEICO-s, Granit Leka, i cili në kohën para shpërthimit tragjik kishte rolin e nëndrejtorit të MEICO-s.
Leka, i thirrur nga institucioni i akuzës në cilësinë e dëshmitarit, shpjegoi se Albademil i detyrohet MEICO-s 400-500 mijë dollarë, shumë kjo që nuk është kthyer për shkak të bllokimit të aseteve dhe llogarive të Delijorgjit menjëherë pas tragjedisë së 15 marsit të 2008-s.
Borxhi
Leka pohoi se është njohur me ketë borxh vetëm pasi mori detyrën e drejtorit të MEICO-s, pas arrestimit të Ylli Pinarit dhe pas kryerjes së bilancit të plotë të MEICO-s. Borxhet duket se janë akumuluar gjatë viteve 2007-2008, kohë kur Albademil kryente demontimin e fishekëve në Gërdec.
Në seancën e djeshme dëshmoi gjithashtu dhe asistentja, njëherazi sekretare e ish-drejtorit të MEICO-s, Suzana Durhani, aktualisht me detyrë juriste. Durhani deklaroi se merrej me korrespodencën e Pinarit dhe linte takimet me personat të cilët e takonin atë. Ish-sekretarja dëshmoi mbi një takim të eprorit të saj dhe Delijorgjit. Mirëpo nuk dha asnjë detaj se për çfarë u bisedua gjatë atij takimi, për shkak se nuk kishte qenë prezent. Gjyqtarët e pyetën Durhanin nëse e kishte njohur Patrik Henrin, administratorin e kompanisë “SAC”. Ish-sekretarja e Pinarit u përgjigj në mënyrë mohuese.
Dëshmitë
“Albademil është debitore ndaj ndërmarrjes shtetërore ushtarake ‘MEICO’ në shumën 400-500 mijë USD. Kjo shumë nuk ka mundur të likuidohet për shkak të bllokimit të llogarive të kompanisë ‘Albademil’ pas tragjedisë së Gërdecit”. Kështu deklaroi dje drejtori aktual i MEICO-s, Granit Leka, i cili ishte një ndër dëshmitarët kryesorë të seancës së djeshme dhe në kohën kur ndodhi shpërthimi ishte nëndrejtor i kësaj ndërmarrjeje. Gjatë dëshmisë së tij, drejtuesi aktual i MEICO-s konfirmoi edhe faktin se në bazë të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, shpenzimet e transportit të municioneve duhej t’i bënte ndërmarrja “MEICO”. Më pas radhën për të dëshmuar e ka pasur asistentja e sekretares së ish-drejtorit të MEICO-s, Suzana Durhani, aktualisht me detyrë juriste. Ish-asistentja ka dëshmuar se e kishte njohur Mihal Delijorgjin në vitin 2007, pasi ka takuar ish-drejtorin e saj, Ylli Pinarin. Më pas, dëshmitarja ka deklaruar se “ditën e ngjarjes jam telefonuar në celular nga Ministria e Mbrojtjes, salla operative, dhe më kërkuan disa dokumente. U thashë se nuk mbaj dokumente. Ndërkohë që për vulën që duhej ta mbante sekretarja, me një urdhër të brendshëm të drejtorit e mbante vetë drejtori Pinari. Dy ditë pas ngjarjes, drejtori më dha një dosje, të cilën më tha t’ia jepja arkivistes”.

Dëshmitari
Specialisti: “Na kërkuan që shpenzimet t’ia hiqnim MEICO-s dhe t’ia kalonim Ushtrisë”

Dëshmitari i radhës, Viktor Përshqefa, specialist në ushtri, dha disa detaje të rëndësishme rreth tentativës që bëhej nga eprori i tij Dashnor Çaushaj që në një projekt-urdhër që po përgatitej, shpenzimet e transportit t’i kalonin Forcave të Armatosura dhe jo ndërmarrjes shtetërore “MEICO”. “Jam thirrur nga shefi im Ilmi Laçaj e specialisti Fahri Toska për të dhënë mendime mbi përgatitjen e projekt-urdhrit për kalimin e municioneve ndërmarrjes ‘MEICO’. Në atë bashkëbisedim unë shpreha mendimin që reparti në Gërdec ku po kryhej demontimi të ruhej nga ushtarakë. Mendimi u unifikua që ruajtja edhe gjatë projektit të dytë të bëhej nga Forcat e Armatosura. Në takim diskutuam edhe për shpenzimet e transportit. Laçaj dhe Toska këmbëngulën që shpenzimet të mbuloheshin nga MEICO. Pra, pjesa e transportit u diskutua që të mbulohej nga ndërmarrja ‘MEICO’”.
Dëshmitari theksoi se këto diskutime nisën pas Urdhrit të ministrit të Mbrojtjes Nr. 417, ku thuhej që çmimet e municioneve të vendoseshin në magazinë. Më tej ai rikonfirmoi që në fund të takimit me shefin e tij dhe specialistin Toska, të vendosej që kostoja e transportit të përballohej nga MEICO. “Pas këtij takimi kam qenë prezent në disa debate mes eprorit tim Laçaj dhe drejtorit të Logjistikës, Dashnor Çaushaj, për këtë pikë, atë të mbulimit të shpenzimeve. Madje, edhe përgatitja e projekt-urdhrit filloi me urdhër të drejtorit të Logjistikës, por debatet kanë qenë të vazhdueshme. Çaushaj kërkonte që të zbutej një pikë e urdhrit të ministrit ku thuhej që shpenzimet t’i mbulonte MEICO dhe të bëhej që shpenzimet t’i bënin Forcat e Armatosura. Shefi im, Ilmiu, nuk binte dakord dhe kjo sillte debate të vazhdueshme mes tyre. Drafti që përgatitëm është kthyer disa herë nga Çaushaj, pasi nuk donte që shpenzimet t’i kalonin ndërmarrjes ‘MEICO’, por ushtrisë”, - dëshmoi specialisti i ushtrisë, ndërkohë që shtoi se “kam dëgjuar nga shefi im Ilmiu se edhe Pinari donte që të hiqej kjo pikë”.
Më pas, lidhur me shpejtësinë me të cilën përgatiteshin urdhrat apo drafte të ndryshme, përfshi edhe projekt-urdhrin për të cilin po dëshmonte, dëshmitari deklaroi se “në ushtri kështu funksionojnë gjërat, shpejt se e kërkon komandanti, shpejt se e kërkon gjenerali. Edhe për këtë draft na thanë përgatiteni shpejt se e kërkon ministri”. Pyetjes së prokurorit nëse ka pasur presione nga ndërmarrja “MEICO” që këto shpenzime t’i hiqeshin asaj, dëshmitari iu përgjigj se “nga ana e Ilmi Laçajt kam dëgjuar se në zyrën e tij ka ardhur dhe e ka takuar Sokol Ngjeçi, i cili kishte ardhur për t’u interesuar për këtë projekt-urdhër. Sipas Ilmiut, Ngjeçi kishte sjellë me vete edhe një projekt-urdhër”.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›