E Diel, 1 Nëntor 2026

Loja e qeverisë me taksat, iu vendosen bizneseve por i paguajnë qytetarët



Ervin KOÇI

Taksat e ndryshme për taksapaguesit shqiptarë kanë vijuar vetëm rritjen që nga viti 2008. Që nga dhjetori i këtij viti, manovrat e qeverisë me taksat dhe tatimet, ose më mirë loja që është bërë në kurriz të konsumatorëve, ka sjellë një rëndim të barrës fiskale nga viti në vit. Qeveria ka ndërhyrë në ligjet e taksave plot 21 herë që nga viti 2008, duke ndryshuar, si procedurat ashtu edhe nivelet e taksave për qytetarët. Në fund të vitit 2008, qeveria uli kontributet e sigurimeve për biznesin me 5 pikë përqindje, duke e argumentuar si vazhdimin e filozofisë së saj të taksave të ulëta. Me uljen e kontributeve, qeveria e lehtësoi biznesin me 4 miliardë lekë në vit. Por pas kësaj mase, taksat vetëm janë rritur. Nga dhjetori i 2008-s, qeveria ka rritur tre herë akcizat, biznesi më i preferuar i saj që nga viti 2005. Sipas të dhënave nga relacionet zyrtare akcizat, e kanë rritur barrën për qytetarët vetëm në dy vitet e fundit me mbi 10.5 miliardë lekë në vit, dy herë më shumë se sa lehtësimi që ju bë biznesit me uljen e sigurimeve. Veç akcizave, janë një sërë ndryshimesh të tjera të taksave gjithmonë me tendencë rritjeje, për të cilat nuk ka efekte paraprake të përllogaritura. Tre më kryesoret janë ulja e pragut të TVSH-së për biznesin nga 8 në 5 milionë lekë xhiro, rritja e taksave të automjeteve të përdorura dhe rritjet e shpeshta të taksave për lojërat e fatit. Të gjitha taksat e ndryshuara, veç kësaj të fundit, që është një industri specifike, janë taksa që maskohen në çmim dhe gjithmonë paguhen nga konsumatorët. Vetë të dhënat e buxhetit konfirmojnë se politika fiskale më shumë se sa ulje taksash në finale, ka qenë transferim i barrës fiskale nga bizneset e mëdha tek qytetarët.

Sa janë rritur
Nëse në vitin 2005 individët paguanin taksa konsumi dhe taksa mbi pagën 128 miliardë lekë në vit, në fund të 2009-ës kjo shifër është gati 80 për qind më e lartë. Në të njëjtën periudhë pesha e taksave direkte, që paguan biznesi nga fitimet e tij ka rënë nga 24 në 16 për qind, të totalit të ardhurave që mblidhen në buxhet. Deficiti i të ardhurave të qeverisë duket se është më i vogël se sa deficiti në xhepat e shqiptarëve të zakonshëm, për shkak se një pjesë e të ardhurave këtë vit janë siguruar nga taksat shtesë. Kjo vërehet edhe në faktin që pavarësisht krizës, të ardhurat në dogana kanë qenë shumë pozitive për qeverinë, sido që rritja e taksave nuk ka mjaftuar të kompensojë rënien e pësuar në qarkullimin e mallrave në ekonominë e brendshme. “Të ardhurat në dogana kanë pasur ecuri të kënaqshme gjatë 4-mujorit. Për këtë periudhë janë mbledhur në total 34.2 miliardë lekë nga rreth 35 miliardë lekë të planifikuara, ose duke realizuar planin në nivelin 98.7 për qind, si dhe 3.8 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhe e vitit 2009 (me rritje 12.6 për qind)”,- thuhet në analizën e MF-së. “Në shtator të 2009-s, norma e akcizës mbi disa mallra u rrit: për kafen rritja ishte rreth 40 për qind; për pijet alkoolike (me forcë alkoolike ndaj volumit mbi dhe nën 12 për qind) rreth 50 për qind; për cigaret rreth 27 për qind. Edhe pse pjesërisht të kundërbalancuara nga ulja e importeve, këto rritje ndikuan në nivelin e të ardhurave të mbledhura për periudhën, krahasuar me një vit më parë”,- vijon më tej analiza.

Rënie e konsumit
Problemi më i madh me të cilin po përballen subjektet e biznesit të vogël gjatë këtij viti është ulja e fuqisë blerëse të popullatës. Analiza e ekspertëve të financave nënvijëzon faktin se qarkullimi i mallrave në ekonominë e brendshme, është ulur me 8.7 për qind, matur kjo me sasinë e shitjeve të regjistruara në administratën tatimore. Përkeqësimi i standardit të jetesës së shqiptarëve gjatë vitit 2010 dallohet edhe në nivelin e të ardhurave të qeverisë nga taksat nacionale, ku dallohet numri i pronarëve të makinave që kanë kryer pagesën e taksës së qarkullimit, si dhe numri i makinave të importuara. “Për 4-mujorin, 1.5 miliardë lekë janë mbledhur nga taksa e qarkullimit rrugor, ose 3 për qind më pak se një vit më parë”,- thuhet në analizë. “Të ardhurat nga taksa mbi importin e makinave të përdorura për periudhën janë 824.6 milionë lekë, 12.8 për qind më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë”,- vijon më tej analiza e përgatitur nga zyrtarët e qeverisë. “Nga administrata tatimore për periudhën janar-prill janë mbledhur 9.7 miliardë lekë nga 11.5 miliardë lekë të planifikuara. Të ardhurat nga TVSH në tatime përbëjnë rreth 27.7 për qind të të ardhurave gjithsej nga TVSH. Tatimet kanë realizuar planin e të ardhurave nga kjo taksë në masën 84.2 për qind. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, të ardhurat nga TVSH në tatime janë ulur me 0.9 miliardë lekë ose 8.7 për qind”,- thuhet në analizë.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›