Milani dhe Lacio rrëshkasin, Napoli -3 pikë nga kreu
Ka përfunduar dje java e 24-ët e kampionatit Italian të futbollit, javë e cila ka rezervuar surprizat e saj. Kështu Milani kryesues nuk ka mundur dot të dalë me pikë të plota nga stadiumi “Marassi” i Xhenoas, ndonëse kuqezinjtë e Alegrit kanë kaluar të parët në avantazh. Ndeshja ka qenë e luftuar, sidomos nga Milani, që ka kërkuar me çdo kusht marrjen e tre pikëve. Të parët që kanë shënuar kanë qenë lombardët. Ibrahimoviç ka sajuar një passim të pamundur brenda zonës për Aleksandre Paton, që përballë portierit Eduardo nuk e ka pasur të vështirë për të shënuar. Më pas, kuqezinjtë kërkojnë golin e sigurisë dhe do të kenë sërish një rast të artë me Paton. Kësaj here braziliani nuk do të godasë saktë dhe portieri i Xhenoas do të mbrohet në goditje nga këndi. Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej në favor të Milanit, një gabim i Van Bomelit do t’i jepte mundësinë Floro Floresit, sulmuesit të ardhur nga Udineze, që të barazpeshojë gjithçka në kohën shtesë. Pjesa e dytë do të jetë edhe më e luftuar sesa e para, por Milani nuk do të arrijë të konkretizojë dot epërsinë territoriale. Si përfundim, të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë, por Milani ndjen shumë pranë tashmë, dihatjen e Napolit. Skuadra e drejtuar nga Valter Maxarri, nuk është lodhur shumë, por ka shënuar nga një gol për çdo pjesë për të mposhtur Çezenën e Erjon Bogdanit. Në fillim ka shënuar i zakonshmi Edison Kavani dhe në minutat shtesë ka dyfishuar Soza. Me këtë fitore, Napoli ngjitet në kuotën e 46 pikëve, 3 më pak se Milani i vendit të parë. Lacio nuk di të fitojë më. Edhe në ndeshjen e djeshme kundër Kievos në “Olimpico”, skuadra bardhekaltër ka qenë e para që ka kaluar në avantazh me anë të Hernandez, por 20 minuta më pas Sezar ka barazuar për miqtë. Lacio mbetet në vend të tretë në kuotën e 42 pikëve. Tjetër fitore për Palermon, që ka mposhtur 2-4 Leçen në “Via Del Mare”, duke i zhytur edhe më këta të fundit.