E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i Kuzhesë për talentet

 

JORGIS MEMO

Zbulohet plani i trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, me lojtarët e rinj, që shihen si e ardhmja e kuqezinjve. Gjithçka është biseduar në një nga tavolinat e hollit të hotel “Tirana”, ku në mënyrë spontane, pak orë para ndeshjes miqësore me Qipron, trajneri kroat ka gjetur aty katër futbollistët e rinj: Elis Bakajn, Gilman Likën, Andi Lilën dhe Jetmir Sefën. Vetëm mbrojtësi Lila është 23 vjeç, ndërsa të tjerët janë nga 22. Nëse më parë Kuzhe kishte paraqitur planin 1-vjeçar për ekipin tonë përfaqësues, në prani të të gjithë lojtarëve, këtë herë ishte diçka ndryshe. “Do të bisedojmë pak për planet që unë kam në të ardhmen me ju si lojtarë të rinj”. Ishin këto fjalët hyrëse të Kuzhesë, në një kohë që lojtarët, duke u qetësuar, as që nuk e prisnin se biseda do merrte një karakter tjetër. Në tavolinë mungonte Vila dhe Hyka, por kjo nuk përbënte ndonjë problem, sepse trajneri do të fliste më pas edhe me ata. Burime pranë kreut të pankinës kuqezi kanë treguar për “Panorama Sport”, se ai u bëri të ditur të rinjve idetë e tij për përfshirjen e tyre në Kombëtare në vazhdimësi, por edhe si e shikonte vendosjen e tyre në fushë. “Ju jeni të gjithë pjesë e projektit tim. Tani më thoni se në çfarë pozicioni ndiheni më mirë dhe më pas unë do t’ju tregoj se si ju shikoj me këtë grup”, - iu drejtua lojtarëve trajneri Josip Kuzhe. Duke filluar nga Bakaj, Lika, Sefa e Lila, ata dhanë mendimet e tyre, të cilat në fakt nuk korrespondonin me preferencat e trajnerit.
Pozicionet        
Josip Kuzhe e nisi me Jetmir Sefën. “Në idetë e mia, duke parë edhe grupin aktual, mund të konkurrosh vetëm për një vend para mbrojtësve, aty ku luajnë Lala e Bulku”, - tha trajneri. Zakonisht Sefa ka luajtur edhe si një organizator i mirëfilltë te Tirana, ndërkohë që aktualisht po bën mirë krahun e majtë, edhe pse kroati e shikon më shumë si shkatërrues. Më pas, radha i vjen Gilman Likës, për të cilin Kuzhe flet me shumë superlativa. “Nga ty jam mjaft i kënaqur. Të shikoj në të dyja krahët e mesfushës, prandaj dhe të kam aktivizuar së fundmi në të djathtë”. Ndërsa për Andi Lilën pohoi: “Je i prerë për pozicionin që bën aktualisht te Tirana”. Në fund, për Elis Bakajn, edhe pse e pyeti të parin për pozicionin ku ndihet më mirë, Kuzhe qe i prerë: “Ti konkurron në Kombëtare për rolin e fantazistit, ashtu si Skela”.

Champions Play-Off

Sonte, ora 20:45
Celtic-Arsenal
Sporting-Fiorentina
Kobenhavn-APOEL
Sheriff-Olympiacos
Timisoara-Shtutgart

Nesër, ora 20:45
Lyon-Anderlecht
Salzburg-M. Haifa
Levski-Debrecen
Panathinaikos-At. Madrid
Ventspils-Zyrih

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›