Hakmarrja e sunitëve

Për aq sa po bëhet më e fuqishme dhe më popullore kryengritja në Siri, për aq po i afrohet fundi pushtetit të shiitëve në këtë vend. Me çdo ditë që kalon, pushteti i presidentit Bashar Al Assad duket se po dobësohet: OKB-ja vlerësoi më 1 nëntor se Siria po rrëshqet drejtë luftës qytetare. Dhe tani, fuqitë sunite në rajon po tentojnë të shfrytëzojnë këtë rrëmujë për të filluar një kundër-ofensivë, e cila mund të zhbëjë humbjet e tyre.
Forcimi i shiitëve në Lindjen e Mesme filloi në vitin 2003, me invadimin amerikan në Irak, i cili e kishte efektin e parashikueshëm të forcimit të Iranit, jo vetëm të teokracisë në pushtet në këtë vend, por edhe të forcimit të hegjemonisë mbi shiitët në gjithë botën arabe.
Në Irak shiitët kanë qenë gjithmonë shumicë, ndërsa sunitët pakicë, por ata gjithmonë kanë qenë të margjinalizuar dhe të përndjekur nga Perandoria Osmane, e më pas janë nënshtruar nga regjimet arabe, deri në kohën e Saddam Husseinit, i cili u shndërrua në kryesues të sunitëve, pasi që filloi luftën me Iranin në vitin 1980. Sot, për dallim, sistemi demokratik i imponuar nga SHBA-ja garanton një qeveri të dominuar nga shiitët, me një lidhje të natyrshme me shiitët në Iran.
Edhe në Liban, shiitët në numër kanë qenë më të shumtë se të krishterët dhe sunitët, por kanë qenë më të dobët politikisht dhe gjatë gjithë historisë së Libanit, ata kanë qenë të injoruar. Sot, për dallim, është lëvizja shiite Hezbollah ajo, e cila aktualisht është partia më e fuqishme në qeverisë së Libanit, ndërsa krahu i armatosur i kësaj lëvizje është më i fuqishëm se ushtria libaneze.
Më pas kemi rastin tejet të veçantë të Sirisë, ku pakica sunite është e nënshtruar nga regjimi sekular, i kryesuar kryesisht nga myslimanët heretikë, kryesisht të mbështetur nga pakicat jo-myslimane, siç janë të krishterët dhe druzët.
Kontrolli i Sirisë nga ana e familjes Assad ka qenë një mjet strategjik për Iranin, për shkak të gatishmërisë për të vepruar sikur të ishin shiitë-duke e ndërlidhur në këtë mënyrë Iranin, Irakun dhe jugun e Libanit në një “gjysmëhënë shiite”, siç e cilësoi mbreti i alarmuar i Jordanisë, Abdullahu II.
Për Arabinë Saudite ultra-sunite, si dhe fqinjët e saj më të vegjël, Kuvajtin, Bahrejnin, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, avancimi i shiitëve nuk ka qenë aspak i mirëpritur. Dallimet religjioze janë thelluar dukshëm gjatë viteve të fundit: devotshmëria e shiitëve, në veçanti në Iran, është përqendruar gjithnjë e më shumë te Imami i 12-të i fshehur, rikthimi i paraparë i të cilit lë në margjina edhe vetë Profetin Muhamed. Ngjashëm, pelegrinazhet e shiitëve drejtë varreve të Hasanit dhe Huseinit në Irak po i bëjnë konkurrencë pelegrinazhit në Mekë.
Ajo që ka më pak rëndësi nga aspekti doktrinar, por ndoshta më tepër rëndësi në realitet, janë praktikat dhe ritualet, të cilat konsiderohen si të dyshimta, madje edhe nëveritëse nga ana e sunitëve.
Megjithatë, është potenciali i shiitëve për t’u shtrirë drejtë jugut që është transformuar në kërcënim për Arabinë Saudite dhe fqinjët e tjerë sunitë. Shiitët janë më të numërt se sunitët jo vetëm në Bahrejn dhe Kuvajt, por edhe në provincat lindore të Arabisë Saudite ku prodhohet nafta, pra në rajonet prej nga vijnë paratë. Protesta të reja kanë shpërthyer në këto rajone gjatë javëve të fundit, me ç’rast kanë vdekur disa protestues.
Nga këndvështrimi saudit, dëmi i shkaktuar nga invadimi amerikan në Irak, me ç’rast u shkatërruar ushtria e Sadamit, u ndërlidh me dështimin për të mbrojtur qeverinë e presidentit të përmbysur egjiptian, Hosni Mubarakut.
Por pasi që dëmtoi frontin sunit me përmbysjen e Mubarakut nga pushteti, “Pranvera Arabe” tani po ndihmon më të madhe këtë front, duke e dobësuar regjimin e Assadit në Damask. Pushtetarët në Katar dhe Arabinë Saudite duket se nuk janë të shqetësuar për shkak të kundërthënieve të dukshme në politikën e tyre kundrejt kryengritjeve në botën arabe: Ata po mbrojnë familjen në pushtet në Bahrejn, e cila po përballet me popullatën shumicë shiite, e në anën tjetër po kritikojnë Assadin, për shkak se po shtyp piopullatën e vetë shumicë sunite. Dhe këto vende po kërkojnë vendosjen e demokracisë në Siri, duke mos e pranuar demokracinë njëkohësisht në vendet e tyre.
Është e qartë se monarkitë në Gji nuk po luftojnë për ardhmërinë e demokracisë në Siri. Për Arabinë Saudite dhe aleatet e saj në Gji, përmbysja e Assadit nga pushteti ka për qëllim “thyerjen e gjysmëhënës shiite”: duke vendosur kështu Damaskun nën sundimin e sunitëve, për të ndërprerë aleancën e Sirisë me Iranin dhe për ta ndarë Hezbollahun nga baza e vet strategjike në Siri, për të mundësuar kështu sunitët në Liban që të rimarrin pushtetin, së bashku me aleatët e tyre të krishterë. (Foreign Policy)