Hakmarrja godet në Durrës, vritet i riu i sapo kthyer nga Italia
DURRËS - Ekzekutohet me plumb në kokë, një adoleshent për hakmarrje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në sheshin “Pranvera”, të Durrësit, në stacionin e ku nisen autobusët e udhëtarëve nga qyteti bregdetar drejt Tiranës. Viktima është Maroi Curri, djali i Luan Currit, i cili u vra në datën 27 janar të këtij, në një lokal në Durrës ku vdiqën dhe dy persona të tjerë. Ai sapo ishte kthyer nga Italia ku jetonte. Por ditën e djeshme, ai është ekzekutuar nga një person ende i paidentifikuar nga policia. Nga dëshmitë e mbledhura nga policia, është mundur të mësohet se, autori i këtij krimi, ka qenë i vetëm dhe këmbësor. Sapo e ka qëlluar të riun dhe e ka lënë të vdekur, ai ësht larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga dëshmitë e mbledhura, policia nuk ka mundur që të bëjë një identikit të autorit të krimit. Uniformat blu kanë ngritur disa postblloqe në rrugët kryesore, si dhe kanë shoqëruar disa persona në polici, por ende nuk kanë gjetur autorin e krimit.
Vrasja
Hakmarrja ka goditur sërish, por këtë herë në Durrës. Viktimë ka mbetur një djalë 18-vjecar i identifikuar nga policia si Mario Curri. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme rreth orës 14:30, në vend qëndrimin e furgonave në Durrës, ndërsa policia sqaron se, hakamrrja është shkaku i vrasjes së të riut. Vrasja ka lidhje me vrasjen e 3-fishtë të ndodhur në janar të këtij viti në Durrës, në një lokal bastesh, e duket se është një vrasje për larje hesapesh. 6 muaj më parë është vrarë babai i 18-vjeçarit. Forca të shumta të policisë së Durrësit, shkuan në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet në lidhje me krimin, si dhe për identifikimin e autorëve apo autorit të kësaj vrasje. Mësohet se 18-vjeçarin e kanë qëlluar me plumb në kokë, ndërsa policia sqaron se ai sapo ishte kthyer nga Italia. Dëshmitarët e ngjarjes tregojnë se autori ishte këmbësor dhe pasi ka qëlluar me gjakftohtësi mbi të riun është larguar me shpejtësi. Policia që ende nuk ka zbardhur vrasjen e të atit të 18-vjeçarit, Luan Curri i ekzekutuar bashkë me nipin e tij, Ani Curri në janar të vitit 2010, e tani gjendet përballë një tjetër vrasjeje, e mbetur edhe kjo pa autor.
Masakra e Janarit
Një person i armatosur me automatik dhe me kapuç në kokë qëlloi për vdekje tre persona. Xhaxha e nip, pronarë të lokalit dhe një klient i rastit, u bënë shënjestër e breshërisë së plumbave. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen 9 të Durrësit, në zonën e njohur si ish-rruga e gëlqeres. Autori mësohet se është afruar me një motor para lokalit, që shërbente dhe si pikë bastesh sportive dhe më pas ka zbritur prej andej me një çantë. Ai është futur brenda ambienteve, ku ndodheshin disa klientë, duke qëlluar me breshëri në drejtim të tavolinës ku ndodhej 44-vjeçari Luan Curri, nipi i tij, Andi Curri, 19 vjeç dhe një fqinj, Emdond Shemsi, 40 vjeç me profesion inxhinier, pronar i një firme ndërtimi. Plumbat kanë lënë të vdekur në vend të tre personat, ndërsa nuk janë regjistruar të lënduar të tjerë.
“Luftë” për kromin, plagoset me armë shoferi i firmës
BLUQIZË - Një person ka mbetur i plagosur gjatë një konflikti mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të një firme koncensionare në Tërnovë të Bulqizës, që degjeneroi në përdorimin e armës. Në këtë mënyrë minierat e kromit vazhdojnë të jenë burim konfliktesh në rajonet krommbajtëse të Bulqizës dhe jo vetëm në minierën kryesore por dhe ato në zona të tjera. Ka qenë ora 11:00 e ditës së djeshme kur është qëlluar me armë zjarri 36-vjeçari Zenel Gorrica, i cili punonte tek një galeri kromi e një firme private. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Tërnovë të komunës Zerqan të Bulqizës. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të nisur prej kohësh, i cili ka acaruar shumë deri sa ditën e djeshme ka rrezikuar jetën e 36-vjeçarit që punonte në një prej minierave të këtij rajoni. Policia nuk ka dhënë identitetin e personit që ka qëlluar mbi 36-vjeçarin për arsye hetimi ndërsa është vënë në ndjekje të tij. Gorrica u plagos në mjetin tip fuoristradë në të cilin po udhëtonte. Ai është qëlluar nga një distancë e afërt duke marrë disa plagë. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë transportimin e të plagosurit për në spitalin e Bulqizës ku i është dhënë ndihma e parë, por më pas atë e kanë nisur me ambulancë në Spitalin Ushtarak, pasi në Bulqizë ka mungesa të mëdha në specialistë si dhe mjete për të bërë ndërhyrje emergjente në raste të tilla. Policia vendore ka ngritur një grup hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve që çuan në këtë plagosje Sipas burimeve policore shkak i këtij sherri lidhet me konfliktin e interesit mes punëtorit që ka kryer plagosjen me firmën që kishte një licensë për të shfrytëzuar këtë minierë kromi. Pikërisht “lufta”, për kromin ka shënuar dhe viktima në muajt e kaluar, si dhe një sërë personash të plagosur.
Kërcon me vrasje banorët e lagjes dhe policin, në pranga i riu
PËRMET - Vihet në pranga një 24-vjeçar, pasi me thikë në dorë ka kanosur me vrasje banorët e lagjes dhe efektivët e policisë. Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës thanë gjatë ditës së djeshme se, një telefonatë ka njoftuar për ngjarjen që po ndodhte në Përmet. Në orën 19:00, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Përmet ka ardhur një telefonatë se në lagjen “Varrosh” të qytetit Përmet një i ri me thikë në dorë po kërcënon për t’i vrarë disa shtetas të tjerë. Menjëherë në drejtim të vendngjarjes janë nisur forca të shumta të policisë. Juxhin Hoxha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Përmet, kishte marrë një thikë të madhe ushtarake me mbishkrim “Kolumbia” të përmasave 26 centimetra dhe po kërcëntonte disa shtetas të tjerë për t’i vrarë sepse, një ditë më parë ai kishte bërë fjalë me një bashkëmoshatarin e tij dhe babi dhe vëllezrit e djalit kishin shkuar në banesën e Hoxhës për tu sqaruar. Në momentin që këta persona kanë hyrë në oborrin e shtëpisë së tij për t’u sqaruar, i riu ka marrë thikën dhe ka tentuar ti godasë. Në oborrin e banesës së Juxhin Hoxhës janë mbledhur dhe banorë të tjerë, banues në atë lagje, por përsëri ai ka vazhduar t’i kërcënojë të gjithë banorët se do t’i vriste me thikë. Me mbërritjen e policisë në vendngjarje është bërë largimi i banorëve nga dera tjetër e oborrit të shtëpisë me qëllim sigurimin e jetës së banorëve dhe për të bërë neutralizimin e autorit. Policia i ka bërë thirrje të hedhë thikën, por 24-vjeçari ka fyer rëndë forcat e policisë dhe më pas ka tentuar ti godasë me thikë punonjësit e policisë ku është kërcënuar seriozisht jeta e tyre. Por pas një ndërhyrjeje nga ana e policisë është bërë i mundur ndalimi i tij, sekuestrimi i thikës dhe shoqërimi për në ambjentet e Komisariatit të Policisë. Ky person gjatë shoqërimit për në polici por edhe në ambjetet e policisë ka vazhduar përsëri të fyej rëndë dhe të kërcënojë punonjësit e policisë se do t’i vriste porsa të dilte nga Policia. Ndodhur në këto kushte nga ana e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër është bërë arrestmi në flagrancë i Juxhin Hoxhës për veprat penale “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, “kundërshtim me dhunë i punonjësit të rendit publik”, “kanosje për shkak të detyrës” dhe “fyerje për shkak të detyrës”.
Kërcënon me vrasje familjen, ndalohet 41-vjeçari
POGRADEC - Ka përfunduar në pranga kryefamiljari, që pas një sherri ka kërcënuar me armë familjen e tij. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në familjen Tare në Pogradec, ku një sherr mes anëtarëve të shtëpisë për pak ka përfunduar tragjikisht. Sipas të dhënave paraprake mësohet se Jorgo Tare, 41-vjeçar ka kërcënuar familjarët, duke i drejtuar armën e duke u thënë se do i vriste. Nuk dihen ende të dhëna rreth sherrit mes familjarëve, por policia e njoftuar për ngjarjen ka mbërritur në kohë dhe ka bërë arrestimin e tij. Pas kontrollit në banesë atij i është gjetur një arsenal armësh, të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Policia bllokoi një automatik me 1 krehër të vendosur me 30 fishekë, 4 krehëra automatiku, ku secili kishte nga 30 fishekë, 470 copë fishekë, 2 granata dore me ngjyrë jeshile dhe 5 kapsolla detonatore. Ai akuzohet për "prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve luftarake" dhe "kanosje".
Priste dru në parkun kombëtar, kërcënon dhe policin pyjor
LIBRAZHD - Pret dru në parkun kombëtar dhe kërcënon punonjësin e policisë pyjore. Ngjarja ka ndodhur në Komunën Rrajzë të Librazhdit. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se, nën hetim është vënë 45-vjeçari N. Bogdani, banues në fshatin Bardhaj të Librazhdit. Sipas policisë, ky i fundit në malin e Shebenikut, në vendin e quajtur Gavatec, në zonën e shpallur Park Kombëtar është kapur nga inspektorin e Policisë Pyjore, me inicialet R. H., 58 vjeç. Uniformat blu të Elbasanit thanë se, 45-vjeçari Bogdani e ka kërcënuar inspektorin pyjor me sopatë nëse do ti vendoste gjobë. Pas kësaj ngjarjeje, 58-vjeçari e ka raportuar ngjarjen tek uniformat blu dhe këta të fundi kanë nisur hetimet ndaj shkelësit të ligjit.
13 Gusht 2010