E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimbursimi i barnave të ushtarakëve mbetet peng për dokumentin e “Identifikimit ushtarak”



Ushtarakët e dalë në rezervë, lirim e pension pleqërie nuk përfitojnë nga rimbursimi i barnave sipas ligjit. Shkak është bërë mospajisja e tyre me një dokument identifikimi. Nga Statusi i Ushtarakut ata duhet të përfitojnë rimbursim të barnave në masën 80 për qind. Ligji përcakton se kjo kategori duhet të jetë e pajisur me dokumentin e Identifikimit Ushtarak për të përfituar këtë të drejtë. Sipas kreut të Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve, Kujtim Çako, pajisja me këtë dokument ende nuk është bërë edhe sot pas 7 vjetësh. Mungesa e këtij dokumenti ka bërë që kategoria e ushtarakëve të dalë në rezervë të mos përfitojnë rimbursimin e barnave sipas ligjit. Recetat e lëshuara nga mjekët ushtarakë nuk kanë vlerën e rimbursimit që u garanton ligji ushtarakëve. Atyre, si gjithë shtetasve të tjerë, u kërkohet librezë shëndeti, paraqitja te mjeku i qendrës shëndetësore të njësisë vendore e më pas te mjeku i lagjes. Vetëm receta e tyre mundëson rimbursimin, i cili i nënshtrohet listës dhe jo pikës 1 të nenit 41 të Statusit të Ushtarakut.

Ligji
Probleme me rimbursimin e barnave në masën 80 për qind kanë ushtarakët në lirim e rezervë që nuk janë pajisur ende me dokumentin e “Identifikimit ushtarak”. Kujtim Çako shprehet se në bazë të pikës 1, neni 41, i Ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, ushtarakëve aktivë dhe atyre të dalë në rezervë, lirim e pension pleqërie u rimbursohen barnat në masën 80 për qind në rast se në akte të tjera nuk parashikohet një përqindje më e lartë. Por, në vendimin e marrë vetëm disa muaj më vonë vendoset si kusht i domosdoshëm për të përfituar rimbursimin e barnave pajisja me një dokument që vërteton se përfituesi është ushtarak. Ligji Nr. 909, datë 29.12.2004 “Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e FA”, vendos si kusht të domosdoshëm dokumentin e identifikimit ushtarak. Kjo bëhet evidente kur thuhet: “Ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura (oficerë, nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë), ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, oficerëve që kanë dalë në rezervë dhe lirim, e vërtetuar kjo me dokumentin e ‘Identifikimit ushtarak’, u rimbursohen..., barnat e listës së rimbursimeve”.
Kërkesat
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve i është drejtuar me disa kërkesa ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, duke kërkuar që të zbatohet vendimi për vlerën e rimbursimit që u garanton ligji ushtarakëve. Letra e ushtarakëve përmban katër kërkesa lidhur me kriteret e rimbursimit; pajisjen me dokumentin e identifikimit ushtarak, zbatimin e Ligjit Nr. 9210 për rimbursimin, si dhe njohjen e rimbursimit me recetën e mjekut ushtarak. Ata kërkojnë përgatitjen e dokumentit të “Identifikimit ushtarak” për ushtarakët në rezervë, lirim e pension pleqërie dhe pajisjen me këtë dokument të tyre në një kohë sa më të shkurtër. Ushtarakët kërkojnë gjithashtu përgatitjen e ndryshimeve në Vendimin Nr. Nr. 909, datë 29.12.2004 “Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e FA”, ku të garantohet zbatimi i përpiktë i pikës 1, neni 41 i Ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, si dhe paraqitja e tyre në Këshillin e Ministrave për miratim. Ushtarakët kërkojnë që t’i jepet fund praktikës antiligjore që ka sunduar deri sot në këtë drejtim, e cila i ka ndëshkuar padrejtësisht ushtarakët.

Spitali Ushtarak: Shërbimet mjekësore për ushtarakët janë falas. Çako: “Na janë refuzuar shtrimet në spital”

Personat që përfitojnë nga Statusi i Ushtarakut duhet të kryejnë falas të gjitha shërbimet që ofrohen në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ligji për ushtarakët përcakton se të gjitha shërbimet mjekësore që kryen në këtë spital bëhen falas. Nëndrejtori i këtij spitali, Alfred Gega, shprehet se për ushtarakët që përfitojnë nga statusi kryhen falas të gjitha shërbimet që ofrohen në këtë spital, duke nisur nga vizitat, konsultat, ekzaminimet, shtrimet dhe operimet. Ky fakt kundërshtohet nga presidenti i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve, Kujtim Çako, i cili deklaron se persona që përfitojnë nga Statusi i Ushtarakut nuk kanë marrë shërbimin që kërkonin t’iu ofrohej. Ai merr rastin e një ushtaraku të dalë në rezervë, i cili duhej të ishte shtruar e kuruar në këtë spital. Nga ky i fundit është refuzuar shtrimi dhe kurimi i tij, kështu që ushtaraku është detyruar t’i drejtohet një spitali privat për të marrë shërbimin mjekësor të nevojshëm.
Problemi tjetër që i shqetëson ushtarakët është ai i mosrimbursimit të barnave për sa kohë ata nuk janë të pajisur me dokumentin që u kërkohet. Ushtarakët kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë të problemeve të rimbursimeve të barnave dhe ofrimin e shërbimeve në Spitalin Ushtarak.

Kërkesat e Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes

1. Përgatitjen e ndryshimeve në Vendimin Nr. 909, datë 29.12.2004 “Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e FA”, ku të garantohet zbatimi i përpiktë i pikës 1, neni 41 i Ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH” dhe paraqitja e tyre në KM
për miratim.

2. Përgatitjen e dokumentit të “Identifikimit ushtarak” për ushtarakët në rezervë, lirim e pension pleqërie dhe pajisja me këtë dokument të tyre në një kohë sa më të shkurtër.

3. T’i kërkohet ISSH-së zbatimi i pikës 1 të nenit 41, të Ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, si dhe pika 1 e Vendimit të KM Nr. 909, datë 29.12.2004 “Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për
ushtarakët e FA”.

4. Të fiksohet e drejta e njohjes për rimbursim të barnave me recetë të mjekut ushtarak.

LAJMËRIM
“Shërbime”, ditën e diel për pensionet e ushtarakëve

Në suplementin “Shërbime” të gazetës “Albania”, ditën e diel gazeta do të sjellë një sërë shkrimesh që kanë të bëjnë me problematikën e ushtarakëve. Analizat e Kujtim Çakos, presidenti i AKUSH-it, ekspertit të kësaj fushe, Kadri Muka dhe modelin se si fitohet pensioni sipas ligjit në rrugë gjyqësore, - do të ribotohen në numrin e ditës së diel, duke ofruar ndihmë për të gjithë ish-ushtarakët, të cilët nuk përfitojnë pensionet që iu takojnë sipas kuadrit ligjor në vend.

14 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›