Pensionet, ushtarakët, ankesë te ndërkombëtarët
Në pamundësi për të arritur të drejtat e tyre te institucionet shqiptare, komuniteti i ushtarakëve ka nisur procedurat e ankesave te organizmat ndërkombëtare. Pak ditë më parë, Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve ka përgatitur një dosje për mosdhënien e pensioneve sipas ligjit, të cilën e ka dorëzuar te zyrat e Komisionit Europian, të OSBE-së, Këshillit të Europës, selisë së NATO-s në Bruksel dhe te disa ambasada të tjera. Kjo organizatë është shprehur se në rast të mosvënies në afat të kërkesave të tyre të ligjshme, nuk përjashtohet mundësia që çështjen ta depozitojnë edhe te Gjykata e Strasburgut. Kjo ankesë vjen kur Gjykata Kushtetuese dha një vendim, i cili nuk zgjidh kërkesat themelore të ushtarakëve, si dhe kur efektet e këtij vendimi i drejtohen qeverisë dhe jo Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili kryen pagesat e sigurimeve shoqërore për këtë kategori.
Letra
Ushtarakët kanë nisur rrugën e ushtrimit të lobimit përmes institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë dhe në Bruksel për të përfituar të drejtat e tyre në lidhje me masën e pensioneve të parakohshme dhe të plota të pleqërisë. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median pranë AKUSH-it, Aleksandër Mihaili, thotë se është përgatitur dosja me materialet dhe një letër prej 15 faqesh drejtuar institucioneve ndërkombëtare. Për të mbledhur materialet ka punuar një grup ekspertësh me juristë dhe financierë, njohës të fushës së sigurimeve shoqërore. Po ashtu, në konsultë janë thirrur edhe 15 organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve të të gjitha fushave, si sektorët e ushtrisë së aviacionit, asaj navale, Xhenios etj.
Në letrën që u është dërguar institucioneve financiare ndërkombëtare janë parashtruar 12 kërkesa që kanë të bëjnë me të drejtat e këtij komuniteti. Ndër më kryesoret janë: rikthimi nga qeveria i të gjitha detyrimeve financiare ndaj ish-ushtarakëve, sipas ligjit në fuqi; plotësimi i kuadrit nënligjor, në mbështetje të ligjeve që janë miratuar në këtë fushë; zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Ekzekutivi; rillogaritjen e pensioneve të ushtarakëve sipas vendimit më të fundit të Kushtetueses etj. (Për më shumë, shih në tabelë 12 pikat e parashtruara). Në qendër të punës për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve në lirim, në rezervë, apo në pension të plotë pleqërie nuk do të jenë vetëm institucionet ndërkombëtare në Tiranë, por edhe selia e NATO-s në Bruksel apo shoqatat europiane që kryejnë të njëjtin aktivitet.
Problemet
Ushtarakët kanë ngritur zërin prej disa kohësh për shkeljen e të drejtave të tyre. Ata pretendojnë se për shkak të moszbatimit të ligjit, llogaritjes së gabuar të kontributeve etj., shteti u detyrohet në një mesatare rreth 23 milionë lekë të vjetër çdo ish-ushtaraku që nga viti 1999 dhe deri sot. Në shumicën e rasteve, ndonëse ISSH-ja ua njeh masën e pensionit që u takon me ligj, ajo i paguan ish-ushtarakët shumë më pak. Kjo i ka detyruar një pjesë të madhe të tyre që t’ju drejtohen gjykatave. Ata kanë paditur ISSH-në dhe kanë fituar në gjykatë, por nuk janë ekzekutuar urdhrat nga Përmbarimi në zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve.
Pak javë më parë, Gjykata Kushtetuese dha vendimin që iu njeh disa të drejta, por sipas AKUSH-it, ajo e kthen statusin e ushtarakut në gjendjen e vitit 1996. Qeveria ka deklaruar se po shqyrton mundësinë për rishikimin e kuadrit ligjor dhe përmirësimin e skemës së sigurimeve, por ende nuk është marrë asnjë hap. Vetë drejtuesit e AKUSH-it pohojnë se nuk janë thirrur në asnjë takim, në cilësinë e përfaqësuesve të grupit të interesit, për të diskutuar ndonjë draft ligjor. Ish-ushtarakët kanë kërkuar që të rishqyrtohen edhe njëherë kërkesat e tyre dhe të rillogariten pensionet, në rast të kundërt, ata do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut, si rruga e vetme për përfitimin e një të drejte të mohuar prej më shumë se dhjetë vjetësh.
KËRKESAT
1. Qeveria të planifikojë dhe të shlyejë detyrimet financiare ligjore për ushtarakët që burojnë nga moszbatimi i ligjit
2. Të nxirren aktet nënligjore që detyron Ligji Nr. 10142, datë 15.05.2009, sipas nenit 30 të tij, për nenet 3, 4, 5, pika 1, 11, 22, 23, pika 3, 24, pika 1, 26 e 29 të këtij ligji në fuqi.
3. Të zbatohet Vendimi Nr. 33 i Gjykatës Kushtetuese, si detyrim që buron nga pika 1 e nenit 132 të Kushtetutës.
4. Organet e sigurimeve shoqërore duhet të rillogaritin masën e pensionit dhe të kryhet menjëherë pagesa nga 1 korriku 2009, sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr. 33, datë 24.06.2010, duke aplikuar rritjet vjetore, koeficientet dhe indeksimet respektive.
5. Të bëhen llogaritje me pagën referuese të muajit të fundit të çastit të lindjes të së drejtës, sepse dihet që çdo ushtarak, ditën apo momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për shkak të reformës ka pasur një pagë relativisht më të lartë se paga mesatare referuese.
6. Të njihet e drejta e llogaritjes së periudhës 6 muaj e një ditë, e barabartë me një vit të plotë shërbim.
7. Të mos të bëhet rikthimi i pagës kalimtare që mohon të drejtë për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
8. Të lihet në fuqi llogaritja e pensionit suplementar të pleqërisë në masën 40% të pensionit të pleqërisë dhe 2% të këtij pensioni për çdo vit tjetër, pa kaluar e gjithë masa e pensionit 60% të pensionit të pleqërisë dhe të mos rikthehet formula e vitit 1996, pra 1% të pagës referuese për çdo vit shërbimi.
9. Të mos kufizohet në kohë e drejta e përfitimit, të mos luhet me të drejtën e parashkrimit të së drejtës së fituar.
10. Të hiqet kufizimi i përfitimit në rast punësimi
11. Gjykata e Lartë, sipas kompetencave ligjore, duhet të bëjë një vendim unifikues mbi të drejtën ligjore të fituar të ushtarakëve në pension
12. Ligji i thjeshtë, i miratuar me shumicën e thjeshtë të mos shfuqizojë dispozitën e ligjit organik që miratohet me 3/5 e votave të deputetëve.
BOX
PADIA
Rruga për të fituar pensionin në gjykatë
Një pjesë e ish-ushtarakëve kanë fituar masën e pensionit që iu takon me ligj, përmes proceseve gjyqësore që kanë bërë në gjykata të ndryshme. Ata kanë paditur Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe kanë arritur që të marrin të drejtat e tyre ligjërisht, ndonëse pjesa më e madhe nuk kanë marrë detyrimet e prapambetura për shkak të moszbatimit të vendimeve nga ISSH-ja. Pak javë më parë gazeta solli një rast konkret të një padie të bërë në Gjykatën e Tiranës, ku ish-ushtaraku N. B. ka fituar të drejtën. Në të njëjtën praktikë, AKUSH u ka sugjeruar edhe ish-ushtarakëve të tjerë për të vepruar dhe për të fituar përmes rrugës gjyqësore të drejtën që e kanë fituar me ligj. Më poshtë jepet baza ligjore ku mund të orientohet çdo ish-ushtarak për të bërë padinë në Gjykatë.
BAZA LIGJORE PËR PADINË NË GJYKATË
- Kodi i Procedurës Civile në fuqi: - Nenet: 31, 32/a, 153, 154.
- Ligji Nr. 8087, datë 13 03 1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit”, i ndryshuar: - Neni 11.
- Ligji Nr. 9210, datë 23 03 2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, - Neni 49, dhe për periudhën e mëparshme, statusi i 3 korrikut të vitit 1991.
- Ligji Nr. 9481, datë 16 02 2006 “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë”: - neni 4, pika 2.
- Ligji Nr. 9377, datë 21 04.2005 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimin shoqëror në Republikën e Shqipërisë”: - Neni 20.
- Vendimi Nr. 60, datë 18 01 2005; Nr. 19, datë 28 01 2005 i Gjykatës së Lartë.
LAJMËRIM
“Shërbime”, ditën e diel për pensionet e ushtarakëve
Në suplementin “Shërbime” të gazetës “Albania”, ditën e diel gazeta do të sjellë një sërë shkrimesh që kanë të bëjnë me problematikën e ushtarakëve. Analizat e Kujtim Çakos, presidenti i AKUSH-it, ekspertit të kësaj fushe, Kadri Muka dhe modelin se si fitohet pensioni sipas ligjit në rrugë gjyqësore, - do të ribotohen në numrin e ditës së diel, duke ofruar ndihmë për të gjithë ish-ushtarakët, të cilët nuk përfitojnë pensionet që iu takojnë sipas kuadrit ligjor në vend.
13 Gusht 2010