Hakmarrja, merret në mbrojtje familja e vrasësit të vëllezërve
Frika nga një hakmarrje e mundshme ka detyruar policinë, që të marrë në mbrojtje familjarët e autorit të dyshuar të vrasjes së 3 vëllezërve Mulliri. I akuzuari nga policia për masakrën e ndodhur më 27 janar, Besim Karaj ka dalë dje para Gjykatës së Rrethit të Korçës, ku i është dhënë masa e arrestit “burg pa afat”. Në ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Vidohovë të Devollit humbën jetë tre vëllezërit Taulant, Xhiljon e Etlevan Mulliri. Autori i dyshuar është vetëdorëzuar ditën e hënë në policinë e Fushë-Krujës, ku edhe ka pranuar vrasjen. Ai ishte shpallur në kërkim prej katër ditësh dhe policia kishte nisur një aksion të gjerë për arrestimin e tij. Sipas burimeve nga policia, janë vënë në mbrojtje dy familje, një në Vidohovë, ku ai qëndronte dhe të afërmit në rrethin e Krujës, nga frika e një hakmarrjeje nga ana e njerëzve të viktimave, që u ekzekutuan me armë. Autori i dyshuar është me origjinë nga Thumana e Krujës dhe ishte martuar në Vidohovë të Devollit, ku edhe jetonte.
Hetimet
Sipas burimeve nga policia, shkak i ngjarjes së rëndë ka qenë një lidhje jashtëmartesore e gruas së Karajt me Taulantin, vëllanë e madh. Para dy muajsh, Karaj e kishte kapur në flagrancë Taulantin me të shoqen në shtëpinë e tij. Me gjithë konfliktin e nisur, të dyja palët kishin arritur një marrëveshje për ta mbyllur atë. Pas kësaj, ata i kishin sheshuar mosmarrëveshjet. Por Karaj kishte kërkuar nga 23-vjeçari që t’i jepte një shumë prej 8 milionë lekësh, që, sipas tij, kishte harxhuar nga e gjithë kjo histori. Në fillim Taulanti i kishte dhënë 3 mijë euro. Por vonesa e parave, si edhe fjalët në fshat, se si ai si burrë ia kishte falur këtë tradhti, mendohet që të kenë shkaktuar këtë masakër.
Ngjarja
Rreth orës 14:00 të datës 27 janar, një person ka qëlluar me breshëri ndaj tre vëllezërve Mulliri, në një nga rrugët e fshatit Vidohovë të rrethit të Devollit. Dy prej tyre kanë humbur jetën menjëherë si pasojë e plumbave, ndërsa vëllai i vogël, i qëlluar i fundit, në gjendje të rëndë është transportuar në spital. Më pas, ai ka filluar të qëllojë në ajër, duke ngjallur frikë tek banorët e zonës. Autori i krimit është larguar më pas nga fshati Vidohovë, duke u drejtuar për në kufirin grek. Sipas burimeve nga policia, në fillim u dyshua për një hakmarrje, pasi nëna e tre djemve të sulmuar kishte vrarë një fëmijë vetëm nëntë vjeç dhe e kishte hedhur më pas në pus. Por më pas, sipas policisë, ngjarja kishte ndodhur nga xhelozia. Të afërmit e tre vëllezërve të ekzekutuar në fshatin Vidohovë të rrethit të Devollit kanë protestuar, duke bllokuar rrugën që lidh këtë fshat me qytetin e Bilishtit, pasi kërkonin arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Pas masakrës së ndodhur në Vidohovë, autori i ngjarjes arriti që t’i shmangej arrestimit. Në kërkim të tij, përveç forcave të shumta të Policisë së Qarkut të Korçës u angazhuan edhe specialët e RENEA-s. Për disa ditë me radhë, agjentët e policisë dyshonin se autori i krimit fshihej në kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë. Për këtë, në operacion u angazhuan edhe forca greke. Ndërkohë që në dispozicion të personave që do të ndihmonin me informacione për arrestimin e 45-vjeçarit u vu edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh. Pas katër ditë kërkimesh, autori i masakrës iu është dorëzuar më pas forcave të policisë.