E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati letër-porositë për pyetjen e Loshajt dhe dy ish-agjentëve të SHIK-ut

Gjykata iu komunikoi dje palëve se mund të ishin të pranishëm gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të rrëmbyerit të SHIK

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë, nisi dy letër-porosi drejtuar autoriteteve holandeze dhe atyre italiane për llogari të procesit gjyqësor ndaj tre ish-SHIK-asve, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro. Të tre këta persona akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 1995, si dhe të biznesmenit minoritar Ziso Kristopulli e Avdyl Loshajt.

Paraditen e djeshme, trupi gjykues i kësaj çështjeje, njoftoi palët në proces që nëse janë të interesuar që të ndjekin nga afër ekzekutimet e këtyre letër-porosive mund të shkojnë në Holandë dhe Itali, për të ndjekur nga afër pyetjen e dy dëshmitarëve të kësaj dosjeje dhe njërit prej tre të dëmtuarve të kësaj ngjarjeje.

"Kemi marrë konfirmimin nga Ministria e Drejtësisë se janë nisur dy letër-porositë për llogari të këtij procesi gjyqësor. Në drejtim të autoriteteve italiane, janë dërguar letër- porositë për pyetjen e dy dëshmitarëve të kësaj çështjeje, Riza Shehu dhe Eduart Qoku, të dy ish-punonjës të SHIK-ut, në përiudhën e ngjarjes. Ata sipas akuzës, kanë dijeni për rrëmbimin e tre personave, biznesmenit Remzi Hoxha, Ziso Kristopuli dhe Avdyl Loshajt.

Gjithashtu, një tjetër letër-porosi, është nisur edhe në drejtim të Mbretërisë së Hollandës, për pyetjen e shtetasit Avdyl Loshajt i cili shtatorin e 1995 ishte viktimë e rrëmbimit të SHIK-ut"-tha kryesuesi i pesëshes gjykuese, duke shtuar se nëse palët kanë interes për të shkuar e për të ndjekur nga afër ekzekutimin e këtyre letër-porosive mund të shkojnë.

Por, në momentin që po lexohej përgjigja e ardhur nga Ministria e Drejtësisë mbi kërkesat e këtyre letër-porosive, kryesuesi i seancës gjyqësore pësoi një krizë shëndetësore, të cilin e transportuan direkt për në Qendrën Spitalore, ku edhe vazhdon të jetë i shtruar duke u mjekuar.

Mësohet se gjendja shëndetësore është rënduar, pasi ka pësuar një trombozë në tru, duke i sjellë dëmtime serioze për jetën e tij. Ndërkohë, procesit gjyqësor ndaj ish-SHIK-asve të akuzuar për rrëmbim po i vjen fundi në pritje të pyetjes së këtyre dëshmitarëve të fundit të organit të akuzës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›