"Bardh e Zi", arrestohet i biri i Mandelës
ELBASAN/ Policia: 20-vjeçari Nelson Peqini u arrestua në një lokal me 7 doza heroinë. Akuzohet si shpërndarës i narkotikëve
Blutë bëjnë të ditur se kishin kohë që e mbanin nën vëzhgim të riun, pas informacionit se merrej me drogë
ELBASAN - Ka rënë në prangat e policisë djali i ish-kapos së njohur të një prej bandave më të rrezikshme të 1997-s, Eduart Peqini, i mbiquajtur Mandela. Nelson Eduart Peqini është arrestuar rreth orës 22:00 të së hënës në një lokal në lagjen "Emin Matraxhiu" të qytetit të Elbasanit. Pasi i është ushtruar kontroll trupor, 20-vjeçarit i janë gjetur 7 doza heroinë të paketuara me letër varaku gati për shitje. I biri i Mandelës mbahej nën vëzhgim prej kohësh nga policia pasi kishte informacione për aktivitetin e tij në shpërndarjen e drogës.
Në një komunikim zyrtar Drejtoria e Policisë Elbasan bën të ditur se si rezultat i një pune të mirëfilltë investigative, operative, nëpërmjet metodave speciale të hetimit, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rruge operative nga Seksioni i Luftës Kundër Narkotikëve është finalizuar me sukses operacioni "Bardh e Zi" duke sjellë arrestimin e 20-vjeçarit Nelson Eduard Peqini, lindur e banues në lagjen "Beqir Dardha" të qytetit të Elbasanit.
Gjatë kontrollit fizik atij i janë sekuestruar 7 tableta me pluhur ngjyrë të kuqërremë me peshë 3 gramë, të cilat dyshohet se janë heroinë. I riu nuk ka kundërshtuar në momentin që agjentët kanë hyrë në lokalin ku ndodhej, teksa do të përgjigjet për veprën penale të "shpërndarjes së lëndëve narkotike".
20-vjeçari Nelson Peqini ishte vënë në shënjestër të agjentëve të antidrogës, të cilët duke qenë edhe djali i ish-kapobandës së 97-s, kishin vënë re lëvizje të dyshimta dhe e ndiqnin. Kryesisht Peqini përdorte lokalet për të shpërndarë drogën dhe sidomos ato në lagjet periferike.
Qysh nga arratisja e madhe e katër anëtarëve të bandës "Mandela", familja Peqini kishte mbetur pa asnjë përkrahje mashkullore por me sa duket, ndërsa është rritur, djali i Eduartit ka menduar se si do të siguronte paratë për të mbajtur familjen.
Nelson Peqini është djali i ish-kreut të bandës "Mandela". Eduart Peqini i ekstraduar pak muaj më parë është dënuar me burg të përjetshëm për vrasje, rrëmbim personi, krijim bande të armatosur.
Si ai dhe vëllezërit e tij rezultojnë të dënuar. Kështu, Astrit Peqini është i dënuar me 25 vjet heqie lirie për pjesëmarrje në bandë të armatosur, rrëmbim personi, tentativë vrasjeje, asgjësim kufome, asgjësim prone, Luan Peqini është i dënuar me 15 vjet heqie lirie dhe Vladimir Peqini i dënuar po ashtu me 15 vjet burg. Të katër vëllezërit lanë familjet dhe sidomos fëmijët e tyre të vegjël që u rritën me vështirësi nga bashkëshortet e tyre.