"Hakmarrja për Drejtësi", ja 17 krimet
Prokuroria gjykatës: dënoni me tre burgime të përjetshme dhe 143 vite burg 10 të pandehurit e "Hakmarrjes për Drejtësi"
TIRANË- U deshën rreth 10 vjet që nga fillimi i seancës së parë gjyqësore ndaj dhjetë të akuzuarve si pjesëtarë të organizatës kriminale "Hakmarrja për Drejtësi", që togat e zeza të dëgjojnë për herë të parë nga organi i akuzës konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurve që tashmë po shijojnë lirinë në kushte dhe vende të ndryshme të botës. Pasi pesë prej tyre, Altin Arapi, Orik Shyti, Kreshnik Spahiu, Nikolin e Pasho Novruzaj ndodhen në tre shtete skandinave më statusin "azil politik", tre të tjerët: Roland e Leart Shyti dhe Gentian Caka ndodhen në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë që nga viti 1997, ndërsa dy të fundit Dritan Hate dhe Gëzim Gjoni janë liruar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit dhe janë gjykuar në liri. Por, edhe për kundër kësaj mungese të të pandehurve në "kafazin" e hekurt të sallës së gjyqit, prokurorët e Krimeve të Rënda vazhduan për rreth 3 vjet e 7 muaj procesin gjyqësor ndaj 10 të pandehurve të kësaj organizate pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ku gjatë këtyre viteve hetim gjyqësor, nuk munguan debate të ashpra mes avokatëve e prokurorëve dhe trupit gjykues, për dëshmi e prova të ndryshme të sjella nga akuza e mbrojtja. Kështu që, pas një rrugëtimi të gjatë gjyqësor, përfaqësuesit e Prokurorisë arritën në fazën përfundimtare të pregaditjes dhe leximit të konkluzioneve përfundimtare të përpiluara në 134 faqe format A4. Ku u analizuan një nga një të 17 episodet e ndodhura nga viti 1992 e deri në vitin 1996 ku shumë prej tyre u arrestuan. Sipas prokurorëve Genci Qano dhe Ened Nakuçi të 10 të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në kuadër të organizatës kriminale të quajtur "Hakmarrja për Drejtësi" kanë kryer 17 krime, që nga vrasja, rrëmbimi, vjedhja, plagosja dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare. Sipas konkluzioneve të akuzës, "pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të dëshmive, provave, pyetjen e dëshmitarëve dhe shumë akt-ekspertime dhe procesverbale të këqyrjes së vendngjarjeve kemi arritur në përfundim se të pandehurit i kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke i ndarë fitimet në bazë të personave që merrnin pjesë në këto vjedhje". Ndërkohë, prokurorët kanë arritur të zbulojnë rolet drejtues të kësaj organizatës, që sipas konkluzioneve, janë tre të pandehurit: Altin Arapi, Orik Shyti dhe Gentian Caka, ndaj të cilëve u kërkua nga Gjykata dënimin e tyre me burgim të përjetshëm. Ndërkaq, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Nikolin Novruzi u kërkua nga gjykata dënimi i tij me 24 vjet burg; për Roland Shytin prokuroria kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg; për të pandehurit Leart Shyti dhe Kreshnik Spahiu Prokuroria kërkoi nga gjykata dënimin me nga 22 vjet burg secili. Ndërsa, për të pandehurit Pasho Novruzaj dhe Dritan Hate përfaqësuesit e akuzës kërkuan nga gjykata dënimin e tyre me nga 21 vjet burg secili. Dhe për të pandehurin e fundit që ndodhet në Shqipëri dhe po shijon lirinë pas 4 vjet mbyllje në qeli, Gëzim Gjoni prokuroria kërkoi dënimin e tij me 8 vjet burg vetëm për akuzat e falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Sipas prokurorisë, 10 të pandehurit gjatë periudhës 1992 – 1996 kanë kryer 13 vjedhje, 8 vrasje dhe 17 plagosje në mënyra të ndryshme, si me armë zjarri dhe lëndë eksplozive. Sipas akuzës, në 13 vjedhjet e kryera të pandehurit kanë grabitur rreth 508 mijë dollarë amerikanë dhe rreth 30 milion lek të reja. Pas katër orë leximit të konkluzioneve përfundimtare të akuzës, gjykata vendosi të ndërpres shqyrtimin gjyqësor duke i lënë afat një mujor avokatëve mbrojtës për të pregaditur pretendimet e tyre përfundimtare, edhe pse gjatë seancës së djeshme avokatët e të pandehurve i cilësuan këto masa dënimi të ndikuara nga manipulimi i provave dhe dëshmive. Vetë përfaqësuesit e akuzës, gjatë analizës së fakteve dhe provave renditen si prova kryesore, dëshmitë e vetë të pandehurve të cilët kanë deklaruar gjatë fazës së marrjes në pyetje nga policia gjyqësore, ku me dëshmitë e të pandehurve prokuroria ka renditur edhe provat e tjera të marra gjatë fazës së gjykimit e asaj të hetimit në vitin 1996.
HISTORIA
TIRANË- Historia e organizatës së quajtur "Hakmarrja për Drejtësi" filloi pasditen e datës 12-tetor të vitit 1996, kur Televizioni Shqiptarë (TVSH) transmetoi lajmin se "në një apartament në qendër të Tiranës ishte zbuluar një arsenal i madh armësh". Lajm i cili shoqërohej me sekuenca filmike, që tregonin një arsenal armësh të llojeve të ndryshme, por, nuk thuhej asgjë për adresën ku ndodhej ky apartament dhe kujt i përkisnin dhe kush u arrestua për këto armë. Lajmi u ndoq me kureshtje, duke pyetur se kush qëndron prapa këtyre armëve. Tre ditë më pas, mediat e asaj kohe njoftuan se "vrasja e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, akuzë kjo e cila më pas iu adresua anëtarëve të "Hakmarrjes për Drejtësië", ishte urdhëruar nga burgu i Bënçës. Në shkrimin e asaj kohë nuk identifikohet urdhëruesi, por, një gjë dihej se në atë kohë në burgun e Bënçës ndodheshin duke vuajtur ditët e burgut, ish-kryeministri Fatos Nano dhe ish-Ministri i Brendshëm në qeverinë e parë të Nanos, Aredin Shyti. Këtu filloi edhe dalja në skenë i emrave të parë të të akuzuarve si pjesëtarë të kësaj organizate. Sipas avokatit Dylber Mane i cili për 12 vjet kanë ndjekur këtë çështjes gjithçka filloi me 16-tetor të vitit 1996, në një emision special doli para mediave Ministri i Brendshëm i asaj kohe, për të dhënë "haberin" se është zbuluar një "organizatë terroriste me karakter politik për të rrëzuar demokracinë", e krijuar në vitin 1992 nga Orik Shyti, djali i Aredin Shytit, ish-zvministër dhe Ministër i Brendshëm për periudhën Janar-Korrik 1991, i dënuar me 17-vjet heqje lirie me akuzën "vrasje me dashje indirekte" për ngjarjen e ndodhur në Shkodër më 2-prill 1991". Përveç armëve, në sekuencat filmike të dhënë nga Ministri i Brendshëm i asaj kohe, sipas avokatit Mane, tregoheshin të filmuara dokumente, ndër të cilat: "kode sekrete komunikimi"; "platforma dhe skema e funksionimit të organizatës"; "plane për krimet që kishin kryer nga viti 1992-1996 dhe ato që do kryenin, duke përfshirë edhe vrasjen e kryeministrit të tanishëm, Sali Berisha, që në atë kohë ishte president. Të parët që dolën në media, si të akuzuar ishin i pandehuri Leart Shyti dhe i ndjeri Enkeled Agaj, të cilët shqiptonin fjalë kritike për qeverinë. Por, më 12 dhe 13-mars të vitit 1997, burgjet u hapën dhe të arrestuarit e dyshuar si pjesëtarë të ashtuquajturës organizata kriminale "Hakmarrja për Drejtësi" u larguan për mos t'u kthyer në qelit e tyre. Shumica prej tyre botuan në shtyp tregime rrëqethëse për tortura të ushtruara gjatë marrjes në pyetje nga njerëzit e policisë së asaj kohe.
GJYQET
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme më 14 tetor 1998 dërgoi zyrtarisht çështjen e organizatës "Hakmarrja për Drejtësi" pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, kohë të cilën edhe avokatët ishin lejuar të njiheshin me provat e grumbulluara dhe hetuara që nga viti 1996. Të pandehur e kësaj dosje ishin 11 të pandehur: Orik, Roland dhe Leart Shyti, Altin Arapi, Nikolin e Pasho Novruzaj, Kreshnik Spahiu, Gentian Caka, Dritan Hate, Gëzim Gjoni dhe Enkelejd Agaj i cili u vra më 8-janar të vitit 1999 nga persona të paidentifikuar ende. Prokuroria e Tirnës ndaj 11-të pandehurve ngriti rreth 25-vepra penale, ku përfshihej edhe krijimi i organizatës kriminale dhe kryerja e krimeve në kuadër të organizatës të quajtur "Hakmarrja për Drejtësi". Pas 190-seancave gjyqësore ku 100 prej tyre dështuan dhe vetëm rreth 80 të tilla u realizuan, ku kishin kaluar gati tre vjet dhe dy prokurorët e çështjes u arratisen nga Shqipëria. Gjykimi i zvarritur dhe zgjati deri më date 12-shkurt të vitit 2003, datë kur Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin duke u shprehur se "gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk kishte prova të mjaftueshme për dënimin e 10-të pandehurve dhe të pushohet çështja". Ndërsa, organi i akuzës në leximin e konkluzioneve përfundimtare u shpreh para gjykatës se "nga hetimi gjyqësor u provua se krimet janë kryer, por nuk u provua se ato janë kryer nga të pandehurit dhe kërkojmë nga gjykata tërheqjen e akteve", duke pretenduar se bëhen hetime plotësuese. Prokuroria e Tiranës, pas apelimit të vendimit, çështja arriti pranë Gjykatës së Apelit më datë 30-prill të vitit 2003. E cila në seancën e datës 30-prill pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve vendosi lënien fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Prokuroria e Apelit, bëri rekursin në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, e cila me datën 12-qershor të vitit 2003 vendosi në dhomën e këshillimit që të mos futet në gjykim çështja dhe t'i kthehet për rigjykim Gjykatës së Shkallës së Parë. Por, në muajin tetor të vitit 2003, çështja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila pushoi 8-akuza nga 24-të tilla dhe më datën 14-shtator të vitit 2004 e depozitoj çështjen për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ku me datë 17-tetor të vitit 2004 u zhvillua seanca e parë gjyqësor dhe përfundoi dje leximi i konkluzioneve të akuzës, me datë 5 maj 2008.
TË PANDEHURIT, VENDNDODHJA DHE PRETENCA:
Altin Arapi ka fituar azil politik në Belgjikë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me burg të përjetshëm
Orik Shytika fituar azil politik në Zvicër, prokuroria kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm
Kreshnik Spahiu ka fituar azil politikë në Zvicër, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 22 vjet burg
Nikolin Novruzaj, ka fituar azil politik në Holandë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 24 vjet burg
Pasho Novruzaj ka fituar azil politikë në Holandë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 21 vjet burg
Roland Shyti, në kërkim ndërkombëtar, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg
Leart Shyti, në kërkim ndërkombëtar, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 22 vjet burg
Gentian Caka në kërkim ndërkombëtar, prokuroria kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm
Dritan Hate gjykohet në gjendje të lirë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 21 vjet burg
Gëzim Gjoni, gjykohen në gjendje të lire, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 8 vjet burg
17 KRIMET E "HAKMARRJES PËR DREJTËSI"
29.01.1993 - Grabitet dega e valutës së Bankës së Kursimeve rreth 307 mijë dollarë
13.04.1993 Grabitet selia e shoqërisë "IAP", ku vidhen rreth 53 mijë dollarë
15.12.1993 - Vritet tek "21 dhjetori" Sami Jata dhe nuk mund t'i vidhen lekët që transportonte
11.08.1994 - Shoqëria "Shkumbin Petrol" grabitet në mes të ditës, merret kasaforta dhe shpërthehet më vonë, ku i vodhën 2.6 milion lek të reja
12.10.1994 - Grabitet shoqëria "IAP", merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja Eduard Trimi
13.12.1994 - Vidhet me pasojë vdekjen shtetasi Pal Prendi nga Vlora, punonjës i pikës së grumbullimit të parave të "Gjallicës". Grabiten 2 arka me para. Shuma 3 milion lekë.
14.01.1995 - Grabitet argjendaria "Agron", në vlerën 576.377 lekë të reja
20.01.1995 - Grabitet Banka e Kursimeve dega në Vlorë, në vlerën 2.6 milion lekë
21.01.1995 - Grabitet kompania e sigurimeve shoqërore "INSIG", ku grabiten rreth 156 mijë lek të reja, me pasojë plagosjen e punonjësit të kësaj shoqërie
03.03.1995 - Grabitet Ndërmarrja e Lëndëve Djegëse në Tiranë "Butongas", ku i vidhen rreth 430 mijë lek të reja
12.04.1995 - Vritet dhe më pas i merren lekët shtetasit Pirro Komini, që transportonte lekët e "VEFA"-s në banesën e tij, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Vlera 18 milion e 500 mijë lekë i grabiten
15.06.1995 - Grabitet fabrika e sfungjerit "Albafon" në Laprak ku i vodhën rreth 940 mijë lek të reja
31.10.1995 - Rrëmbehet fëmija Erjon Nushi, prindërve u kërkohet 200 mijë dollarë, por lirohet 3 ditë më pas pa marr lekët e kërkuar
12.01.1996 - Grabitet filiali i shoqërisë "VEFA" në Vlorë, merren 145 mijë dollarë
18.04.1996 - Grabitet Banka Kombëtare Tregtare dega Vlorë, merren 2.2 milion lekë të reja
26.02.1996 – Vendosja e eksplozivit në super-marketin e kompanisë "VEFA" në Tiranë, vriten katër persona plagosen 17 të tjerë
26.07.1996 - Vritet ish-drejtori i burgjeve, Bujar Kaloshi në afërsi të shtëpisë së tij