ISHP: 'Për një vit zona e Gërdecit e pabanueshme'
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik së bashku me një ekip nga Britania e Madhe do të monitorojnë për një vit zonën e Gërdecit, zonën e quajtur 'hot spot'. Ata kërkojnë që banorët të mos jetojnë në këtë zonë, përgjatë kësaj kohe, pasi mund të jetë e dëmshme për shëndetin e tyre. Specialistët kanë deklaruar se 'për një afat rreth një vjeçar, në zonën e Gërdecit do të kryhen shumë monitorime si dhe do të behën rreth 500 matje. Pa dalë këto rezultate asnjë banor nuk duhet të mendojë të jetojë pranë asaj zone'. Specialistët kërkojnë që çdo ndërtim në zonën aty afër kraterit të shpërthimit në Gërdec të shoqërohet me leje mjedisore dhe shëndetësore. ISHP-ja ka dërguar në universitetin e Sienës analizat për dy mostrat e tokës, përgjigjet e të cilave pritet të mbërrijnë së shpejti në vendin tonë. Ky universitet ka vendosur të bëjë falas vetëm analizat e para, pasi kostoja për një prej tyre shkon deri në 150 euro.